Sport

Dortmundi i frikshëm në sulm, por sërish ka probleme në mbrojtje

Dobësitë mbrojtëse të Borussia Dortmundit po i mbajnë nën kontroll pritjet e skuadrës, pavarësisht sulmit të frikshëm.

Dortmundi ka pranuar 11 gola në pesë ndeshje të Bundesligës – bilanci i pestë më i keq në ligë - për të hequr shkëlqimin nga loja e jashtëzakonshme e treshes sulmuese Erling Haaland, Marco Reus dhe Jude Bellingham.

Vetëm Hertha Berlini, Stuttgarti dhe dy skuadrat e promovuara kanë bilanc më të keq mbrojtës deri më tani. Fitorja e së dielës, 4:2, kundër Union Berlinit ishte shumë më e vështirë sesa lë të kuptohet rezultati.

Dortmundi ishte në epërsi 3:0 para se Unioni të kthehej në 3:2. Haaland shënoi golin e tij të shtatë në kampionat dhe të 11-tin në të gjitha garat këtë sezon. Por, bilanci i jashtëzakonshëm i golave të Haalandit fsheh realitetin e problemeve të ekipit. Pa golat e norvegjezit 21-vjeçar, Dortmundi, do të kishte vetëm tri pikë nga tri ndeshjet e fundit të Bundesligës në vend të nëntë sosh sa i ka tubuar.

"Ne duhet të punojmë sa më shumë në mbrojtje, sepse kështu humbasim dhe zhbëjmë të gjithë punën e mirë që kemi bërë në 60 ose 70 minutat e para”, tha kapiteni i Dortmundit, Marco Reus për prirjen e ekipit të tij për të lejuar rivalët të kthehen në lojë.

“Nuk mund të vazhdojë kështu. Ne duhet të jemi shumë më të zgjuar. Kjo mbrojtje e dobët është e pashpjegueshme”.

Problemi nuk është i ri për Dortmundin, i cili ka qenë i aftë të sulmojë shumë ndërkohë që është shkatërruar në mbrojtje që nga sezoni i fundit i Juergen Kloppit si trajner në vitin 2015, kur përfundoi në pozitën e shtatë. Mungesa e qëndrueshmërisë ka çuar në dështime të përsëritura që nga ajo kohë.

“Unë e di problemin prejse jam në klub për më shumë se dy vjet. Por, ne ende po kemi vështirësi ta trajtojmë dhe të përmirësohemi”, tha mbrojtësi Mats Hummels.

Hummels u kthye në Dortmund në vitin 2019 pas tri sezoneve te Bayern Munichu. Ai më parë ishte kapiten i Dortmundit në një periudhë kryesisht të suksesshme nga viti 2008 deri në vitin 2016.

“Nëse shikoni një ndryshim të madh midis Bayern Munichut dhe skuadrës sonë, atëherë është se në Bayern të gjithë lojtarët luajnë për sukses dhe nuk lejojnë kundërshtarin që t’i sulmoj”, tha Hummels.