Sport

KH Trepça mposhtet në ndeshjen e parë

Descriptive Text

Klubi i hendbollit, Trepça, ka pësuar humbje 29-22 nga skuadra izraelite Holon Yuvalim, në kuadër të rundit të parë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë kontinental.

Ndeshja e zhvilluar në palestrën “Minatori” solli pak histori, me mysafirët që ishin favorit absolut për të triumfuar.

Ndeshja e kthimit, me marrëveshje mes dy klubeve, do të luhet sërish në “Minatori” të dielën nga ora 13:00.

Kjo ishte hera e dytë që Trepça luajti në gara evropiane. Në edicionin 2017/18 kishte luajtur në rundin e tretë të Challenge Cup, që po ashtu ishte niveli i tretë. Kishte humbur dy ndeshjet në “Minatori” nga skuadra cilësore rumune, Potaissa Turda, që doli kampione në fund.

Trepça është dashur të paraqitet edhe në edicionin 2005/06 të Challenge Cup. Ishte në grup me ekipe nga Rusia, Bullgaria dhe Portugalia. Ndeshjet ishin luajtur në Rusi, ndërsa ky vend nuk lëshoi viza për mitrovicasit. Kështu EHF-ja i regjistroi të gjitha ndeshjet me rezultat zyrtar, në të mirë të skuadrave kundërshtare të Trepçës.

Në Kupën Evropiane, javën e kaluar luajti Vëllaznimi i Gjakovës. Vëllaznimi i luajti dy ndeshje në Luksemburg dhe i humbi. Ndërkohë Prishtina është eliminuar pa lojë nga një skuadër austriake. Kampionia Besa Famgas, garimin e nis prej rundit të dytë të Kupës Evropiane. Ndeshjet i ka muajin tjetër.