Sport

Raiola nuk përjashton mundësinë që Pogba të kthehet te Juventusi

Paul Pogba mund të kthehet te Juventusi dhe një mundësi të tillë nuk e ka përjashtuar as agjenti i mesfushorit francez, Mino Raiola.

Pogba 28-vjeçar ende nuk e ka rinovuar kontratën me Manchester Unitedin, e cila i skadon vitin e ardhshëm. Dhe, nëse mbetet lojtar i lirë, atëherë Pogba mund të transferohet falas te Juventusi.

Agjenti i tij, Raiola ka thënë se së shpejti do të nisë bisedimet me klubin anglez por nuk ka përjashtuar as mundësinë që klienti i tij t’i bashkohet Juventusit.

Në fakt, Pogba ka luajtur katër sezone te Juventusi përpara se të kthehet te Unitedi.

“Paul Pogbas i skadon kontrata në qershor, kështu që ne do të bisedojmë me Manchester Unitedin dhe do të shohim se çka do të ndodhë. Juventusi? Pauli ende e do Torinon. Ekziston mundësia që ai të kthehet te Juventusi, por gjithashtu varet edhe prej planeve të Juventusit”, ka thënë Raiola.