Sport

Duka: Kualifikimi në Euro 2020 kusht për trajnerin e ri

Ka hyrë në fazën e nxehtë përzgjedhja e pasuesit të Gianni De Biasit dhe stafit të ekipit kombëtar.

Janë disa alternativa që ka takuar Duka në Tiranë, nga Walter Zenga te Clarence Seedorf sa i përket postit të trajnerit, pa përfshirë edhe alternativat e tjera që përfliten për drejtor teknik të kombëtares.

Por duket që për një gjë presidenti i FSHF-së është i sigurt, ai po kërkon një trajner me eksperiencë dhe ndoshta me një emër të madh.

“E sigurt është që nuk do të marrim një trajner që do të drejtojë për herë të parë Shqipërinë. Po kërkojmë dikë me eksperiencë, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Nëse do të ketë edhe emrin e madh, padyshim që ky është një bonus”, ka thënë Duka.

Muaji gusht është limiti që Duka dhe stafi teknik që po intervistojnë kandidaturat i kanë vënë vetes për të gjetur një trajner, i cili veç kushtit financiar, duhet të pranojë edhe kushtin sportiv, të mbyllë në vendin e 3-të këto eliminatore dhe të kualifikojë Shqipërinë në Europianin 2020, transmeton TCH.

“Kandidati duhet të bindë se mund ta bëjë shumë mirë këtë punë. Duhet të pranojë veç kriterit financiar tonit edhe objektivat që kemi. Vërtet jemi matematikisht jashtë eliminatoreve të Botërorit 2018, por duhet t’i mbyllim mirë këto 4 ndeshje të mbetura dhe të na kualifikojë në Europianin e 2020-s”, ka nënvizuar Duka.