Sport

Me transferimin në Hungari, Dhuratë Sylejmani shpreson të trasojë rrugën evropiane për volejbolliste të tjera

Descriptive Text

Prishtinë, 12 shtator – Dhuratë Sylejmani nuk ka hezituar ta bëjë hapin që pak sportiste në vend e kanë rastin ta bëjnë. Aktualisht volejbollistja më e mirë në Kosovë është transferuar te skuadra e elitës hungareze DVTK.

Sylejmani në fund të gushtit i është bashkuar DVTK-së në stërvitje. Shpreson të jetë e suksesshme dhe kështu të hapë rrugën drejt transferimit në liga evropiane të volejbollisteve të tjera kosovare.

Ndodh fare rrallë që volejbollistet kosovare, por edhe lojtaret e sporteve të tjera, të transferohen në klube të huaja. Shumica e nisin dhe e mbyllin karrierën në vend. E mbyllin kryesisht në moshë të re.

Por Sylejmani pas shkëlqimit te Kastrioti i Ferizajt dhe te Drita e Gjilanit ka vendosur për sfidë të re. Synon suksesin edhe në ligën elite të Hungarisë.

Janë paraqitjet e mira me Kosovën gjatë muajit maj që i kanë mundësuar volejbollistes shtatlartë të sigurojë kontratën në Hungari.

Ajo ka theksuar se e ka realizuar ëndrrën me lëvizjen e fundit.

“Transferimi në një ligë evropiane besoj se është ëndërr për çdo sportist që synon karrierë të pasur për vite me radhë. Sigurisht që ndihem e kënaqur që tash e kam mundësinë të luaj në një ligë evropiane”, ka thënë Dhuratë Sylejmani për KOHËN.

22-vjeçarja është zhvilluar si volejbolliste te Kastrioti i Ferizaj. Në dy edicionet e kaluara luajti për Dritën e Gjilanit. Ishte shumë e suksesshme. Në maj luajti në kualifikime për Kosovën dhe u dallua me paraqitje.

“Për transferim më ka ndihmuar paraqitja në ndeshjet kualifikuese me Kosovën, në maj të këtij viti. Prej aty kam rënë në kontakt me disa agjentë ku edhe vendosa për bashkëpunim”, ka theksuar Sylejmani. Pasi mori ofertën, nuk ka hezituar për transferim.

“Mendoj se më gati se kësaj radhe nuk jam ndier asnjëherë më parë. Është një sfidë e re për mua dhe shumë më ndryshe. Por shpresoj se do ta përballoj me sukses të plotë”.

Skuadra hungareze ka angazhuar edhe një volejbolliste të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas Sylejmanit, kampionati i Hungarisë është goxha i fortë, me nivel të mirë evropian. Ajo ka treguar se synimet e skuadrës janë pozitat e pjesës së epërme të tabelës.

“Ky është një hap i madh për mua, i cili besoj se do të hapë shumë rrugë për vazhdimin e karrierës sime, duke sjellë edhe shumë mundësi të tjera për vitet e ardhshme”, është optimiste Sylejmani.

Dhe natyrisht ajo shpreson që rrugën e njëjtë ta ndjekin edhe volejbolliste të tjera.

“Fatkeqësisht nuk ka shumë transferime nga volejbolli kosovar në klube evropiane. Nëse paraqitja ime do të kishte ndikim që edhe volejbolliste të tjera të gjejnë angazhim jashtë vendit, atëherë do të isha e kënaqur. Shpresoj që me paraqitjet që do të kem të hap rrugën për lojtaret e tjera të Kosovës”, ka theksuar Dhuratë Sylejmani.

Prej saj presin shumë në skuadrën hungareze. Lojtaret e këtij klubi kryesisht janë të reja.

“Shpresojmë që Dhurata të jetë në gjendje të sjellë paraqitje të nivelit që i kishte te Kosova. Ajo do të jetë lojtare e vlefshme e ekipit. Blloqet e saj mund të na sjellin shumë pikë gjatë kampionatit”, ka theksuar trajneri i skuadrës DVTk, Mihaly Farkas.