Sport

Me gjithë fillimin e vështirë, Rashica pret të jetë i suksesshëm me Norwichin në Premier League

Descriptive Text

Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, ka insistuar se Norwich City nuk e ka merituar një start negativ këtë edicion në Premier League, ku ka regjistruar tri humbje në po aq ndeshje të zhvilluara. Rashica ka insistuar se Norwichi të paktën ka merituar një pikë në duelin e fundit ndaj Leicester Cityt, që e humbi në shtëpi me rezultatin 2:1. Në dy ndeshjet e para, Norwichi pësoi nga Liverpooli (3:0) e Manchester City (5:0).

“Mendoj se ishim pak pafat, sidomos në ndeshjen e fundit në të cilën të paktën kemi merituar një pikë, sepse luajtëm shumë mirë dhe nuk u dorëzuam deri në momentin e fundit. Megjithatë, nga ndeshja në ndeshje ne po përmirësohemi dhe po krijojmë më shumë raste”, është shprehur Rashica, i cili të premten është zgjedhur lojtari i muajit gusht te Norwichi me votat e tifozëve.

“Në Angli nuk ka ndeshje të lehta, sidomos në fillim të edicionit. Mirëpo, ne po luajmë mirë dhe paraqitja në ndeshjen e fundit është sinjal i mirë për duelin e radhës”.

Rashica ka thënë se ka ardhur koha që Norwichi të ketë rezultate pozitive, pasi ka dëshirë t’i shpërblejë tifozët për përkrahjen që ia kanë dhënë ekipit. Ai, gjithashtu, i ka falënderuar ata që e kanë votuar për lojtarin më të mirë të muajit të shkuar.

Në xhiron e katërt Norwichi është mysafir i Arsenalit, ekip që po ashtu nuk di për fitore këtë edicion. Ky duel luhet të shtunën prej orës 16:00.

“Jam shumë i lumtur dhe e vlerësoj shumë këtë çmim sepse nuk ka qenë një fillim i lehtë për ne. Po rritemi së bashku si ekip dhe po përpiqemi të luajmë futbollin tonë dhe është shumë e rëndësishme për ne që tifozët të jenë atje nga fillimi. Unë mendoj se tani është koha që ne, gjithashtu, të fillojmë t'u japim atyre diçka”, ka theksuar Rashica.

25-vjeçari iu bashkua ekipit anglez gjatë afatit kalimtar të verës nga Werder Bremeni për 11 milionë euro dhe firmosi kontratë deri në vitin 2025. Ai ka qenë titullar i padiskutueshëm te Norwichi, i rikthyer në Premier League. Rashica ka premtuar paraqitje edhe më të mira në ndeshjet tjera duke thënë se gradualisht po adaptohet me lojën e ekipit të ri.

“Unë mendoj se paraqitjet e mia ishin në rregull, por po përpiqem të kuptoj se si luan ekipi dhe po jap gjithçka në stërvitje dhe në ndeshje. Mendoj se jam në rrugën e duhur. Për të luajtur me këta lojtarë dhe këtë ekip është më e lehtë, sepse ata e bëjnë më të lehtë për mua”, është shprehur Rashica.