Sport

Bayerni pa Tolisson e Comanin kundër Leipzigut

Bayern Munichu do të jetë pa mesfushorët francezë, Corentin Tolisso dhe Kingsley Coman, për duelin kundër Leipzigut, të shtunën.

Të dyja skuadrat kanë ndeshje të rëndësishme javën tjetër. Bayerni luan me Barcelonën kurse Leipzigu kundër Manchester Cityt.

Trajneri Julian Nagelsmann të premten në konferencën për shtyp ka nënvizuar se si Tolisso ashtu edhe Coman, kanë probleme me pulpë, por që mund të kthehen kundër Barcelonës.

Megjithatë, Nagelsmann ka thënë se nuk shqetësohet për rikthimin e tij të parë te ish-klubi që e drejtoi për dy sezone.

“Si ekip kemi arritur diçka në dy sezone me Leipzigun dhe kemi sjellë shpirt të mirë ekipor. Shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv dhe nuk shqetësohem nëse disa njerëz do të fishkëllejnë”, ka thënë trajneri gjerman.

Te Bayerni në këtë duel mund të debutojë edhe transferimi Marcel Sabitzer.