Sport

Bolt po ka dëshirë që të rikthehet në atletikë

Kampioni i tetëfishtë olimpik, Usain Bolt, thotë se është tepër vonë për një rikthim të tij në atletikë, mirëpo e pranon se ka dëshirën për t’u rikthyer, raporton BBC.

Xhamajkani 35-vjeçar i dha fund karrierës së lavdishme pas Botërorit 2017.

Ai tha se kishte dëshirë të kthehej në Lojërat Olimpike në Tokio, por trajneri e bindi të mos e bënte.

“Është tepër vonë. Po të kthehesha atëherë vetëm për Lojërat Olimpike. Kur i thashë trajnerit se do të pensionohem, ai u ul me mua dhe më tha ‘kur pensionohesh mjafton. Nuk dua më rikthime. Kështu që sigurohu se je gati për pensionim’”, ka deklaruar Bolt. “E mbaj mend se shkova tek ai në vitin 2019 dhe i thashë ‘si mendon për një rikthim në Lojërat Olimpike?’ Dhe ai më shikoi e më tha që të mos e çojë në mendje këtë. Kështu që nëse trajneri im thotë jo, atëherë është jo, pasi unë besoj në të. Por, kam ato emocione për rikthim”, ka deklaruar Bolt, që është rekordmen bote në 100 dhe 200 metra.

Bolt beson po ashtu se sprinteret xhamajkane Shelly-Ann Fraser Pryce dhe Elaine Thompson-Herah mund ta shtyjnë njëra-tjetrën drejt thyerjes së rekordit të botës në 100 dhe 200 metra sprint, rekorde që i mban amerikanja Florence Griffith Joyner nga viti 1988.

Thompson-Herah mbrojti titujt olimpik në 100 dhe 200 metra në Tokio dhe po ashtu muajin e kaluar vendosi rekord personal në 100 metra, duke vrapuar 10.54 sekonda. Kjo është koha e dytë më e shpejtë, ndërsa është vetëm 0.05 sekonda larg rekordit të botës së Joynerit.

“Mendoj se këto vajza do të trokasin në derë”, ka thënë Bolt.