Sport

Futbollistët e Kosovës që bënë hap prapa në karrierë këtë verë

Herolind Shala të mërkurën është dashur të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjen kualifikuese për botërorin “Katari 2022” ndaj Spanjës, në fushë apo bankinë. Ai ishte pjesë e “Dardanëve” për ndeshjet e këtij muaji, atë kundër Gjeorgjisë, Greqisë dhe Spanjës. Në dy të parat qëndroi në stol, ndërsa në ditën e ndeshjes kundër gjigantes Spanjës, Shala u prezantua te Erzurumspori, ekip që garon në Kategori të Dytë të Turqisë.

Te skuadra turke Shala u transferua nga skuadra elitare e Norvegjisë, Stabaeku. Me skuadrën turke ka nënshkruar kontratë për dy vjet, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ngjashëm si Shala veproi edhe Bersant Celina. Celina ishte në mesin e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e këtij muaji. Por Celina nuk u grumbullua fare, ndonëse pati njoftime se do t’i bashkohet pas ndeshjes kundër Gjeorgjisë.

Por Celina nuk u grumbullua pasi u prezantua te skuadra e re, Ipswich Towni, që garon në Kategorinë e Tretë të Anglisë. Nuk pati ndonjë njoftim për mosgrumbullin e Celinës nga kampi i Përfaqësueses e as nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Te Ipswichi, Celina u huazua nga Dijoni, që nuk siguroi mbijetesën në elitën e futbollit francez. Kalimi te Ipwsichi për Celinën vlerësohet hap parapa në karrierë. Hap prapa vlerësohet edhe kalimi i Shalës te Erzurumspori, ndërsa të dy futbollistët rrezikojnë edhe ftesën nga Kosova në të ardhmen për shkak të nivelit të ligave që do të paraqiten këtë edicion. Hap para nuk është vlerësuar edhe lëvizja e Besar Halimit, e as e sulmuesit Lirim Kastrati. Ky i fundit nga Dinamo Zagrebi u transferua këtë verë te Legia e Varshavës në Poloni. Edhe Kastrati u largua nga kampi i Përfaqësueses për t’u prezantuar te Legia, por me aeroplan privat iu bashkua “Dardanëve” sërish për ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Ndërkohë, Halimi nga Sandhauseni që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë u transferua te Riga e Letonisë, ligë që cilësohet më e dobët se ajo e Gjermanisë. Në fakt, edhe në të kaluarën futbollistët e Kosovës kanë bërë hapa prapa në karrierë, duke lënë ndonjë ligë më të madhe për të vazhduar karrierën te ndonjë ligë më e dobët. Shumë futbollistë nuk kanë gjetur hapësirën apo nuk i kanë përmbushur pritjet. Të tillë te Kosova janë disa.

Se nuk i ka përmbushur Shala pritjet nga Stabaeku, e ka thënë edhe menaxheri i ekipit norvegjez Torgeir Bjarmann.

“Ne kemi rënë dakord me Erzurumsporin për një transferim të Herolind Shalës. Kur erdhi në Stabaek, ai kishte një dëshirë të fortë që ne të jemi pozitivë nëse do të kishte një ofertë nga jashtë – dhe kjo ka ndodhur tani”, ka thënë Bjarmann, njoftoi “budstikka.no” të mërkurën.

Shala luajti vetëm 90 minuta në tri ndeshje, ndërsa nuk shënoi asnjë gol.

“Shala nuk e ka arritur nivelin që kishim dashur. Mund të ketë disa arsye për këtë. Mund të jetë për shkak të ekipit, në të njëjtën kohë ai është dëmtuar shumë”, ka theksuar Bjarmann.

Ndërkohë, pa klube janë ende dy reprezentuesit e tjerë të Kosovës, mesfushorët Hekuran Kryeziu e Idriz Voca, të cilët nuk janë ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes për ndeshjet e këtij muaji.