Sport

Reja i kënaqur me fitoren historike

Descriptive Text

Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, është ndarë i kënaqur me fitoren 5:0 ndaj San Marinos, që është vlerësuar historike. Është fitorja më e thellë e Shqipërisë në ndeshje zyrtare.

Reja ka thënë se ka pritur më shumë gola në pjesën e parë.

“Prisja të bënim më shumë në pjesën e parë, sidomos në aspektin e konkretizimit pasi shënuam vetëm një gol. Megjithatë në pjesën e dytë ndryshuam me aktivizimin e Roshit dhe Brojës. Skuadra kishte më shumë alternativa në organizimin e lojës dhe u shfaq më e çliruar ndaj shënuam edhe katër gola të tjerë dhe krijuam shumë raste të mira”, ka thënë Reja pas ndeshjes në Elbasan.

Shqipëria tani është e dyta dhe shpreson ta mbajë këtë pozitë për të shkuar në barazh.

“Për të mbajtur ëndrrën gjallë duhet të bëjmë paraqitje të mira në të gjitha ndeshjet e mbetura dhe të provojmë të marrim sa më shumë pikë. Gjithsesi ajo që më pëlqen është që skuadra po rritet, po funksionon mirë në fushë dhe po argëtohet duke luajtur. Më pëlqen që kam në dispozicion një grup që punon fort në stërvitje dhe kjo është shpërblyer edhe me ndeshjet e mira që kemi bërë këtë edicion. Mund të bënim më mirë vetëm në Poloni, një ndeshje që do të na djegë gjatë për mënyrën se si e humbëm”, ka shtuar italiani Reja.