Sport

Krasniqi më 9 tetor mbron titullin e botës në boks

Është caktuar edhe zyrtarisht termini i rimeçit mes boksierit kosovar, Haxhi (Robin) Krasniqi, dhe gjermanit Dominic Boesel. Më 9 tetor në Magdeburg të Gjermanisë, Krasniqi do ta mbrojë titullin e botës ndaj Boeselit.

Pikërisht Boeselin e kishte nokautur Robin Krasniqi për ta fituar titullin e botës më 10 tetor të vitit të kaluar. Gati një vit më vonë ai do ta bëjë mbrojtjen e parë të titullit të përkohshëm në kategorinë gjysmë të rëndë, në versionin WBA (World Boxing Association).

Krasniqi shumë më herët kishte paralajmëruar për KOHËN mbrojtjen e titullit ndaj Boeselit, por kishte mbetur vetëm të zyrtarizohej termini. Kjo është bërë të hënën.

Krasniqi bokson për Gjermaninë dhe aktualisht është boksieri i vetëm i Gjermanisë që mban titull të botës në versionet e mëdha të boksit profesionist. Më shumë detaje do të jepen në konferencën për shtyp që do të mbahet të mërkurën.

Krasniqi është shqiptari i parë dhe i vetëm me titull të botës në boksin profesionist. Versioni WBA i ka nga tre kampionë të botës për kategori. Krasniqi e mban njërin prej tyre në kategorinë gjysmë të rëndë. 34-vjeçari deri më tani ka 51 fitore e gjashtë humbje. 19 prej fitoreve i ka me ndërprerje.

Krasniqi ka bërë të ditur se është në formë jetësore. Synimin e ka ta mbrojë titullin ndaj Boeselit dhe më pas të zhvillojë edhe disa meçe të nivelit më të lartë.

““Po ndihem si asnjëherë më parë. Jam gjatë në boks, mbi 15 vjet, por asnjëherë nuk kam qenë në formë si tani. Synimin që e kam pasur për karrierën në boks e kam arritur, kam titull të botës, dhe kjo nuk do të ndryshojë. Po ndihem shumë më i lehtësuar që e kam kaluar atë barrierë. Jam plot energji e vullnet për suksese të reja. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, fizikisht jam shumë mirë dhe puna që po e bëj është e jashtëzakonshme. Është kjo punë që më ka karakterizuar vazhdimisht dhe që ma ka mundësuar të arrij këtu ku jam. Me punë të madhe do të vazhdoj ende. Ka edhe shumë javë deri te meçi, por edhe sikur ai të mbahej tani, unë do të isha plotësisht i gatshëm. Mund të them se edhe kur nuk kam meç, unë jam më i përgatitur se shumica e boksierëve të tjerë. Kjo falë punës serioze dhe të madhe që e bëj me dy trajnerët e mi”, ka theksuar Krasniqi për KOHËN, kohë më parë.

Në planet e Krasniqit është edhe një meç në Prishtinë. Por ai fillimisht është i fokusuar te mbrojtja e titullit më 9 tetor.

“I kam në plan edhe disa meçe. Plani është për ta mbrojtur titullin e botës edhe në Prishtinë, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Jam i bindur se do të jetë spektakël, se do të mbushet stadiumi. Shqiptarët e duan boksin dhe një meç për titull në Prishtinë gjithnjë e kam ëndërruar. Ka pasur ide që meçi i ardhshëm të jetë në Kosovë, por kjo nuk do të ndodhë. Me shumë mundësi verën e ardhshme do të boksoj në ‘Fadil Vokrri’. Ky është plani dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Por, fillimisht jam i fokusuar që të përgatitem sa më mirë për luftën e ardhshme, që ta mbaj titullin e botës”.

Boesel 31-vjeçar, ka 31 fitore e dy humbje në boksin profesionist. Pas humbjes nga Krasniqi një vit më parë, është kthyer në ring më 22 maj të këtij viti. Fitoi ndaj Ondrej Buderas dhe tani do ta ketë rastin për ta sfiduar boksierin kosovar.