Sport

Fetahu: Klubet e basketbollit do të pësojnë ekonomikisht nga masat anti-COVID

Descriptive Text

Baskebolli kosovar e ka nisur edicion e ri me ndeshjet e turneut të Superkupës, derisa më 15 shtator pritet të fillojë edhe edicion i ri garues i Superligës së Kosovës.

Kur po bëhen edhe përgatitjet e fundit për një fillim sa më të mirë të këtij kampionati, basketbolli kosovar po ballafaqohet sërish me mungesën e tifozëve brenda palestrave sportive për shkak të masave të reja të ndërmarra nga Qeveria kundër pandemisë Covid-19.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka thënë për KosovaPress, se masat e reja janë shumë të rënda për basketbollin e Kosovës edhe pse ata ishin përgatitur që brenda palestrave të basketbollit të lejohen vetëm ata tifozë të cilët janë vaksinuar dhe se kjo kërkesë iu kishte bërë të gjitha klubeve.

“Në realitet nuk janë vështirë të zbatueshme, por janë të rënda shumë për basketbollin, janë të rënda për sportin në përgjithësi. Ajo që kemi si informatë, është se nuk do të ketë asnjë shikues të lejuar në palestrat e sporteve me dorë, basketbollin përfshirë. Ju e dini se ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për të qenë të gatshëm për Superkupën, pastaj e kemi edhe kampionatin i cili do të fillojë më 15 shtator dhe ajo që kemi kërkuar prej klubeve tona ka qenë që të sigurojnë që biletat vjetore të cilat i shesin për ata pak pjesëmarrës, për ata pak tifozë dhe pak shikues të cilët do të jenë nëpër tribunat e palestrave t’iu shiten vetëm atyre të cilët janë të vaksinuar, vetëm personave të vaksinuar dhe fëmijëve nën moshën 16 vjeçare që kanë të drejtë të lëvizin pa vaksina.”, tha Fetahu.

Ai ka thënë se janë klubet ato që do të afektohet direkt nga këto masa për shkak se shumë prej tyre tashmë kanë shitur bileta vjetore te tifozët e tyre dhe se rikthimi i këtyre mjeteve paraqet problem madhor.

“Tani kjo çfarë po ndodhë neve na shkakton një telashe, na shkakton një problem madhor për shkak se këto klube vetëm i kanë shitur një pjesë të biletave vjetore, shumë prej tyre i kanë shitur biletat vjetore, na shkakton telashe me kthimin e mjeteve, na shkakton telashe se nuk do të jenë tifozët në palestra sërish e të tjera. Po shpresoj se do ta tejkalojmë këtë situatë më 13 (shtator) kur skadojnë këto masat të cilat i ka imponuar tani Qeveria e Kosovës dhe do të jemi në gjendje që të jemi në një regjim pak sa më të relaksuar për vijimin e kampionatit”, theksoi Fetahu./KSP