Sport

Greqia kërkon pikët e plota ndaj Kosovës

Përfaqësuesja e Greqisë ka kryer stërvitjen e parë dhe të fundit përpara ndeshjes së të dielës kundër Kosovës në stadiumin ''Fadil Vokrri'' në Prishtinë. Kjo ndeshje që është e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2022, i takon Grupit B dhe zhvillohet të dielën prej orës 20:45.

Në konferencën për media, të shtunën janë paraqitur përzgjedhësi John Van’t Schip dhe mbrojtësi Konstantinos Mavropanos.

Për trajnerin grek takimi ndaj Kosovës është tejet i rëndësishëm. Ai ka kërkuar nga lojtarët e tij që të jenë të fokusuar maksimalisht në këtë përballje.

“Ne e dimë se çdo ndeshje është e rëndësishme. Ne kemi luajtur dy ndeshje ndaj Kosovës, por tani është një kohë tjetër. Ne kemi lojtarë të tjerë, ata kanë mbase lojtarë të tjerë. Për ne është e rëndësishme të jemi sa më të gatshëm për këtë takim. E dimë që Kosova ka një skuadër të fortë por ne duhet të jemi të përgatitur për të bërë një paraqitje sa më të mirë në këtë përballje. E dimë se shihemi si favorit në këtë ndeshje, por lojtarët e mi këtë duhet ta tregojnë në fushë”, ka thënë Van’t Schip.

Optimist para këtij takimi është shprehur mbrojtësi Mavropanos. Ky i fundit beson se do t’i marrin pikët e plota ndaj “Dardanëve”.

“Nuk kemi ndonjë lojtar të veçantë të Kosovës, me të cilin do të identifikonim ekipin e tyre. Ne e dimë që Kosova është ekip shumë i fortë dhe e dimë se me kë do të ballafaqohemi. E dimë që keni fituar ndaj Gjeorgjisë, por ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe do të mundohemi të dalim me tri pikë. Do të bëjmë çdo gjë, që të arrijmë fitoren në këtë takim. Nuk është grup i lehtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, të gjitha ndeshjet janë si finale. Kemi ngjitje dhe rënie të gjitha në grup. E dimë që mund të ketë befasi, e pamë Suedinë dhe Spanjën. Ne do të mundohemi të jemi sa më lart në kualifikim”, deklaroi Mavropanos.

Greqia mban vendin e katërt me dy pikë në po aq ndeshje në grup, teksa Kosova është e treta me tri pikë pas tri dueleve të luajtura. Suedia është lidere e grupit me nëntë pikë, e përcjellë nga Spanja me shtatë sosh. Gjeorgjia është e fundit me një pikë.