Sport

Osaka sërish do të largohet për një kohë nga tenisi

Naomi Osaka ka thënë se do të bëjë një tjetër pushim nga tenisi pasi mbrojtja e titullit në “US Open” përfundoi në rundin e tretë.

Numri tre i botës së tenisit në konkurrencën e femrave u mposht 2:1 në sete nga 18-vjeçarja Leylah Fernandez, 5:7, 7:6 dhe 6:4.

Osaka nuk mori pjesë në garën e sivjetme në “French Open”, pasi ka thënë se ka pasur probleme me shëndetin mendor qëkur u bë kampione e Grand-Slamit në vitin 2018.

23-vjeçarja po ashtu mungoi në “Wimbledon”, ndërsa u kthye në këtë sport në Lojërat Olimpike të Tokios.

Osaka është tenistja e parë nga lista e 20 tenisteve më të mira në botë, që e humb meçin këtë vit në “US Open”.

Fernandez, që 19 vjet do t’i mbushë të hënën, tani do të përballet me kampionen e vitit 2016, Angelique Kerber, për një vend që siguron çerekfinalen.