Sport

Greqia në Prishtinë pas humbjes, por me synime të mëdha

Më 6 shtator të vitit të kaluar, përfaqësuesja e Greqisë luajti për herë të parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve, Greqia kishte fituar 2:1 ndaj Kosovës.

Grekët kthehen në “Fadil Vokrri” të dielën, thuajse një vit më vonë, për përballje tjetër me “Dardanët”. Është ndeshja e tretë mes Kosovës dhe Greqisë.

Derisa te Kosova janë të motivuar pas fitores ndaj Gjeorgjisë, të shënuar të enjten në Batumi (1:0), grekët në Prishtinë udhëtojnë pas një humbjeje të pësuar. Më 1 shtator në Basel, Greqia humbi 2:1 nga Zvicra. Ndeshja ishte miqësore.

Miqësorja në Basel i dha fund serisë prej dhjetë ndeshjeve pa humbje të Greqisë. Më 7 tetor të vitit të kaluar, Greqia kishte humbur 2:1 në miqësore nga Austria. Prej atëherë ka fituar ndaj Moldavisë (2:0, 0:2), Qipros (2:1), Hondurasit (2:1) dhe Norvegjisë (2:1). Ndërsa ka barazuar me Kosovën (0:0), Slloveninë (0:0), Spanjën (1:1), Gjeorgjinë (1:1) dhe Belgjikën (1:1).

Barazimi pa gola i Greqisë me Kosovën u regjistrua më 14 tetor të vitit të kaluar në Athinë. Ishte një ndeshje ku pati shumë duele të forta dhe “luftë” të vërtetë në fushë. Pika e fituar u vlerësua lart te Kosova. Barazimi erdhi pas rezultateve dëshpëruese në ndeshjet me Maqedoninë e Veriut dhe Slloveninë. Kosova kishte humbur 2:1 nga Maqedonia e Veriut më 8 tetor dhe 1:0 nga Sllovenia më 11 tetor.

Derisa fitorja me Gjeorgjinë ka ndrequr atmosferën te Kosova, humbja nga Zvicra nuk duket se ka prishur shumë punë për Zvicrën. Të paktën kështu ka deklaruar selektori i Greqisë, holandezi John van’t Schip.

Greqia është ende pa humbje në eliminatoret për Botërorin 2022. Kampanjën e ka nisur me barazim të madh, 1:1, ndaj Spanjës më 25 mars në Granada. Më 31 mars barazoi me rezultatin e njëjtë ndaj Gjeorgjisë, në Greqi. Është e vetmja në Grupin B që i ka vetëm dy ndeshje të luajtura. Udhëheq Suedia me 9 pikë nga 3 ndeshje. Spanja është e dyta me 7 pikë nga 4 ndeshje, ndërsa Kosova falë fitores ndaj Gjeorgjisë renditet e treta me 3 pikë nga 3 ndeshje. Greqia është e katërta me 2 pikë nga 2 ndeshje, ndërsa Gjeorgjia ka vetëm 1 pikë nga 4 ndeshje.

Të dielën luhet edhe ndeshja Spanja – Gjeorgjia. Spanjollët janë në pozitë jokomode pas humbjes 2:1 nga Suedia, të enjten mbrëma.

Por Kosova e Greqia aktualisht janë të fokusuara te ndeshja e së dielës në “Fadil Vokrri”.

“Ishte ndeshje e mirë”, kishte thënë selektori i Greqisë, Schip, pas humbjes nga Zvicra. “Në fillim ishim jashtë lojës, por pas rezultatit 1:0 jemi kthyer dhe kemi luajtur futboll të mirë. Në pjesën e dytë kemi pasur disa raste të mira. Kemi pasur një moment fatkeq te goli i dytë i Zvicrës. Kishte kohë të gjatë që nuk kishim luajtur ndaj një kundërshtari të fortë si Zvicra. Por mendoj se jemi në formë të mirë dhe në mentalitetin e duhur, në prag të ndeshjeve me Kosovën dhe Suedinë”, kishte shtuar selektori i Greqisë.

John van’t Schip ka theksuar se prej lojtarëve të tij ka parë futbollin që ka dashur ta shohë.

Në kampin e Greqisë i kanë vlerësuar “finale” ndeshjet me Kosovën dhe Suedinë. Ndeshja Greqi – Suedi luhet të mërkurën në Athinë. Grekët synojnë fitore për të mbetur në garë për kualifikim, ndonëse grupi është shumë i vështirë dhe Suedia po duket e pandalshme.