Sport

Nga puna e transportuesit te Milani, Messias thotë se realizoi ëndrrën

Junior Messias insistoi të mërkurën se ka realizuar ëndrrën e tij pasi përfundoi ngritjen e tij të jashtëzakonshme nga futbollisti amator dhe puna e transportuesit në Ligën e Kampionëve, me transferimin e tij të fundit te skuadra e Milanit. Braziliani Messias iu bashkua Milanit të martën nga Crotone në formë huazimi njëvjeçar, por ekipi nga “San Siro” ka të drejtën e blerjes së kartonit të tij në fund të sezonit për pesë milionë euro. Ai do ta ketë mundësinë të luajë në nivelet më të larta të futbollit evropian dhe kjo është një arritje e madhe për një futbollist, i cili para një dekade e filloi karrierën e tij në Itali në futbollin amator.

“Kur e pashë shkrimin ‘AC Milan’ u emocionova, sepse është klubi im i preferuar. Është ekipi që e kam mbështetur gjithmonë dhe jam shumë i emocionuar që jam këtu”, tha Messias në prezantimin e tij te Milani, të mërkurën. “Unë kurrë nuk kam menduar të arrij deri në këtë nivel. Ëndrrat bëhen realitet, ju vetëm duhet të besoni në to dhe të punoni”.

Messias mbërriti në Itali për të jetuar me vëllain e tij në vitin 2011 dhe ngadalë u ngjit nëpër zonat e poshtme të futbollit italian - në një moment duke transportuar frigoriferë për të jetuar - para se të merrej nga Crotone në janar të vitit 2019. Ai ndihmoi klubin jugor të ngjitet deri në Serie A dhe sezonin e kaluar, dhe shënoi nëntë gola në 36 paraqitje në ligë. Mirëpo Crotone ra menjëherë pas një viti në Serie B, duke ia dhënë mundësinë brazilianit për të luajtur për Milanin. Sidoqoftë, ngritja e tij nuk ishte e qetë, me një lëvizje të vitit 2017 në klubin historik Pro Vercelli - fitues i shtatë titujve të ligës në vitet e para të shekullit të kaluar - u bllokua, sepse klubet e Serie B u ndaluan të nënshkruanin lojtarë pa pasaporta të BE-së nga ligat amatore. Ky ishte një zhgënjim i madh për lojtarin.

“Në një moment humba shpresën, sepse isha tashmë 25 vjeç dhe po luaja futboll amator vetëm për t'u argëtuar”, tha Messias. “Në ligat amatore ju luani për 10 muaj, por për dy muajt e tjerë të vitit kam punuar më shumë sesa të shkoja në pushime. Normalisht, do t'i bëja dërgesat e mia pasi punoja si transportues. Ajo periudhë më mësoi vlerat e vërteta të jetës. Unë kam arritur aty ku jam për shkak të punës së madhe. Kam bërë shumë sakrifica”.

E këto sakrifica kanë bërë që ai të përfundojë në stadiumin “San Siro” për një nga klubet më të famshme në botë, duke i dhënë atij shansin të përballet me brazilianët e tjerë të Liverpoolit në Ligën e Kampionëve këtë edicion. Milani e Liverpooli janë në një grup të kësaj gare prestigjioze. Para se t’i bashkohet Milanit, Messias ka qenë pjesë e Crotones prej vitit 2019. Ndërsa, më herët, Messias ka bërë karrierë në ekipet e vogla dhe pak të njohura, si AC Gozzano, Chieri e Casale. 30-vjeçari është i lindur në Belo Horizonte të Brazilit.