Sport

Selektorin e Portugalisë e bezdisin pyetjet për Ronaldon

Fernando Sandos u shfaq i inatosur me pyetjet në lidhje me Cristiano Ronaldon gjatë konferencës për media të mbajtur të martën.

Selektori i Portugalisë theksoi se fokusi i tij është ndeshja kualifikuese për botërorin “Katari 2022” ndaj Republikës së Irlandës e jo rekordi i Ronaldos.

Portugalia luan të mërkurën ndaj Republikës së Irlandës. Ronaldo ka nevojë edhe për një gol për ta kaluar rekordin e sulmuesit iranian Ali Daei me 109 gola të shënuar për përfaqësuese. Por, pyetjet e gazetarëve rreth gjasave që Ronaldo ka për ta thyer rekordin, e kanë bezdisur selektorin e Portugalisë.

“Në mendjen tonë është ekskluzivisht loja kundër Republikës së Irlandës. Unë e kuptoj pyetjen tuaj, por çfarë përfitimi mund të na sjellë rekordi i Ronaldos në lojën tonë nesër? Asgjë. Asgjë. Ne duhet të jemi të fortë dhe të sigurohemi që Portugalia ta fitojë ndeshjen. Pra, ne nuk mund të jemi këtu duke menduar për lojtarin A, B, C ose D. Kjo nuk është mënyra se si Portugalia do ta fitojë ndeshjen, kjo është e sigurt. Ne nuk mendojmë për këto gjëra, ky nuk është fokusi ynë. Përndryshe do të ishte një shenjë e keqe. Ne nuk jemi të fokusuar në këto aspekte”, ka thënë Santos.

I ashpër ka qenë edhe me pyetjen rreth përshtatjes se Ronaldos me Bruno Fernandesin te Manchester Unitedi.

“Ju gazetarët britanikë, mund t’i diskutoni këto çështje dhe të pyesni atë dhe Brunon për këtë kur të jeni atje”, është shprehur selektori i Portugalisë.