Sport

Drita kërkon fitoren e dytë, Llapi të parën në Superligë

Descriptive Text

Te nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita, e kërkojnë edhe fitoren e dytë rresht në Superligën e Kosovës në futboll. Në fakt, Drita ishte ekipi i vetëm që shënoi fitore në xhiron e parë, pasi katër ndeshjet e tjera përfunduan baras. Pas fitores 2:1 ndaj Feronikelit, skuadra e Dritës po e kërkon triumfin edhe ndaj Llapit, në ndeshjen që luhet në qytetin e Gjilanit prej orës 17:00. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka pranuar se përballja me Llapin do të jetë e vështirë, por ka insistuar se ekipi i tij është i gatshëm edhe për këtë ndeshje.

“Do ta kemi një përballje të vështirë, një kundërshtar siç është Llapi, i cili nga viti i kaluar e dimë që fitoi Kupën e Kosovës. Ka ruajtur grupin dhe ka sjellë edhe futbollistë cilësorë. Kemi ndjekur dy-tri takimet e fundit, nuk diskutohet, kemi analizuar edhe detajet më të vogla për t’i mbyllur pikat e tyre të forta dhe normalisht do të mundohemi t’i shfrytëzojmë hapësirat që do t’i lërë kundërshtari. Kemi përgatitur një kundërlojë kundër Llapit dhe shpresoj ta implementojmë në fushë”, është shprehur trajneri Nuhiu, që ka konfirmuar të gjithë futbollistët për këtë ndeshje, më përjashtim të Arbnor Mujës së lënduar.

Krahas Nuhiut, edhe mesfushori i Dritës, Hamdi Namani, ka folur për duelin me Llapin, ekip tek i cili luajti për gjashtë vjet dhe ishte kapiten për një periudhë.

“Siç e keni parë, ndeshja kundër KF Feronikeli ishte e vështirë dhe për ndeshjen e dytë kemi punuar gjatë tërë javës që të mos na përsëriten gabimet tona”, ka thënë Namani. “Kam qenë pjesë e Llapit për gjashtë vjet, ndërsa tani u bënë tre vjet që jam me Dritën, jemi takuar disa herë me KF Llapi dhe tashmë nuk është sfiduese ose ndjenjë e veçantë. Nga koha kur kam qenë unë, Llapi ka bërë shumë ndryshime, por mendoj që sulmi është pika më e fortë e tyre, e kanë sulmin mjaft të shpejtë”.

Edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka vlerësuar lart Dritën. Megjithatë, ai ka insistuar se Llapi do të udhëtojë në Gjilan për një rezultat pozitiv, përse jo edhe fitore. Llapi në xhiron e parë u befasua nga Ulpiana, që i mori pikë në Merdar pas barazimit 1:1.

“Pres një ndeshje të vështirë ne udhëtim, ku na pret nënkampionia e Kosovës dhe një skuadër e fuqishme. Mirëpo, edhe ne jemi një ekip i frikshëm këtë kampionat dhe po ashtu i kompletuar. Në Gjilan nuk udhëtojmë për asgjë tjetër, veçse një rezultat të mirë që do ta marrim nëpërmjet një loje të bukur dhe angazhimit maksimal në fushë”, ka thënë Batatina.

Të shtunën, në të njëjtën kohë, luhet edhe një ndeshje tjetër. Skuadra e Ulpianës e pret Malishevën. Të dy këto ekipe këtë edicion janë promovuar në elitë. Ulpiana është kthyer për herë të parë pas vitit 2008, ndërsa Malisheva po debuton në elitë. Sikurse Ulpiana, edhe Malisheva e nisi edicionin me barazim, duke luajtur 1:1 kundër kampiones në fuqi, Prishtinës.

“Barazimi me Prishtinën na ka motivuar dhe në çdo ndeshje do të futemi për fitore. Jemi të kompletuar për ndeshjen me Ulpianën dhe besoj se me angazhim maksimal mund të fitojmë”, ka paralajmëruar kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu.

Edhe të dielën do të zhvillohen dy ndeshje, ndërsa vëmendja do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku kampionia në fuqi, Prishtina, e pret skuadrën e Ballkanit. Edhe Ballkani në xhiron e parë barazoi sikurse Prishtina. Luajti 2:2 kundër Dukagjinit të rikthyer pas një viti në Superligë në Suharekë. Ish-kapiteni i Prishtinës, Armend Thaqi, që është pjesë e Ballkanit, insistoi se ekipi i tij do të dalë në fushë për të marrë një rezultat të favorshëm. Ai shtoi se Ballkani është i kompletuar për këtë ndeshje.

“Është një derbi i vërtetë sepse përballemi me kampionin. Duhet angazhim maksimal dhe disiplinë e madhe për të arritur një rezultat pozitiv. Kemi punuar maksimalisht gjatë tërë javës për të pasur një paraqitje sa më të mirë dhe për të marrë një rezultat të favorshëm në këtë përballje”, u shpreh Thaqi.

Në anën tjetër, trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka thënë se është momenti i duhur që ekipi i tij t’u kthehet fitoreve në ndeshjet e këtij sezoni. Para barazimit me Malishevën, Prishtina humbi 3:1 nga Llapi pas vazhdimeve në duelin e Superkupës së Kosovës. Ramadani edhe ndaj Ballkanit nuk mund të llogarisë në të lënduarit, si Sabien Lilaj, Leonit Abazi e Qëndrim Zyba.

“Atmosfera në klub është siç ka qenë gjithmonë, shumë e ngrohtë dhe familjare. Prishtina gjithmonë luan për fitore dhe të dielën do ta japim maksimumin për të ardhur deri te fitorja, pasi mendoj se kemi mësuar shumë nga barazimi me Malishevën. Rezultatet e fundit janë vetëm motiv më i madh për ne dhe nuk ka hapësirë për shqetësim”, është shprehur Ramadani.

Të dielën prej orës 17:00 në Drenas Feronikeli e pret Gjilanin, ndërsa xhiroja e dytë mbyllet të hënën me duelin që do të luhet në Klinë, ndërmjet Dukagjinit dhe Drenicës.

Superliga – II

E shtunë (17:00)

Drita – Llapi

Ulpiana – Malisheva

E diel (17:00)
Prishtina – Ballkani

Feronikeli – Gjilani

E hënë (17:00)

Dukagjini - Drenica