Sport

Talentet nga Brazili synojnë transferimin në Evropë

Lojtarët e rinj brazilianë janë të etur për t'u bashkuar me ligat evropiane gjatë afatit kalimtar të transferimit dhe mund të jenë pazar për klubet që kërkojnë marrëveshje të minutës së fundit. Afati kalimtar i verës do të mbyllet javën e ardhshme, më 31 gusht. Disa prej këtyre futbollistëve tashmë janë në radarin e përzgjedhësit të Brazilit, Tite, dhe kanë pasur paraqitje mbresëlënëse në pjesën e parë të kampionatit brazilian.

Abner

Mbrojtësi i krahut të majtë, 21-vjeçari i Athleticos fitoi medaljen e artë me Brazilin në Lojërat Olimpike të Tokios dhe ndjek hapat dhe stilin e ish-shokut të tij të skuadrës Renan Lodi, tani që është pjesë e Atletico Madridit. Abner është më i mirë përpara sesa në pjesën e pasme, si shumë lojtarë krahu të Brazilit, por qëndrueshmëria e tij tregon se ka shumë vend për përmirësim. Ai është lidhur me një kalim te klubet portugeze që kur u bë profesionist në vitin 2019. Kartoni i tij vlerësohet rreth 7.5 milionë euro.

Danilo

Mesfushori mbrojtës, 20-vjeçari i Palmeiras ishte një nga lojtarët kryesorë për klubin e tij që triumfoi në edicionin e fundit të Copa Libertadores. Ritmi i tij, shënimi i golave dhe pasimet e sakta, kanë bërë që Danilo të krahasohet me Fernandinhon e Manchester Cityt. Aftësia e tij, gjithashtu, ka bërë që tifozët vendas ta shohin si Paul Pogban e ri. Mediat braziliane raportuan se Watfordi bëri një ofertë prej 12 milionë eurosh për lojtarin në fillim të këtij viti, por Palmeirasi refuzoi. Trajneri Abel Ferreira thuhet se nuk dëshiron që Danilo të largohet nga klubi këtë verë.

Yuri Alberto

Sulmuesi 21-vjeçar filloi te Santosi, por statusi i tij është përmirësuar qëkur u bashkua me skuadrën e Internacionalit vitin e kaluar. Pasi u lidh me një kalim të mundshëm te Barcelona, Alberto ka shënuar 14 gola në 37 ndeshje për ekipin e tij këtë vit. Arritja e tij më e dukshme në kampionatin aktual brazilian ishte “hat-tricku” në fillim të këtij muaji në fitoren 4:0 të Internacionalit ndaj kampionit në fuqi, Flamengos. Ai vlerësohet rreth gjashtë milionë euro në tregun e futbollit.

Guga

Mbrojtësi i djathtë, 22-vjeçari i Atletico Mineiros është i mprehtë me topin në këmbët e tij dhe është gjithashtu një pasues i mirë. Fiorentina është e interesuar të nënshkruajë me të, por klubi i tij brazilian thuhet se refuzoi një ofertë prej shtatë milionë eurosh. Guga është një nga lojtarët kryesorë në ekipin që kryeson në kampionatin brazilian pas 16 ndeshjeve dhe gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në arritjen e Atleticos në gjysmëfinalen e Copa Libertadores. Ai shpesh krahasohet me ish-mbrojtësin e djathtë të Bayern Munichut, Rafinhan, gjithashtu për shkak të lartësisë së tij.

Joao Victor

Mbrojtësi 23-vjeçar është përmirësuar dukshëm, pasi nga zgjedhja e katërt për pozitën e tij te Corinthiansi në titullar të padiskutueshëm që nga fillimi i vitit. Ai e ka bërë mbrojtjen e ekipit të tij një nga më të qëndrueshmet në kampionatin brazilian. Ndërprerjet e tij, aftësia ajrore dhe goditjet e pastra e kanë bërë atë një të preferuar të tifozëve. Victor u ndëshkua vetëm një herë në 16 ndeshjet e fundit. Edhe pse vlera e tij është një milion euro, Corinthiansi po kërkon më shumë për ta lënë të transferohet në Evropë.