Sport

Sfidat e Challandesit para ndeshjeve vendimtare

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, pritet shpejt ta bëjë publike listën e lojtarëve për ndeshjet vendimtare që “Dardanët” i zhvillojnë muajin e ardhshëm. Por, në listë ai pritet të përfshijë edhe lojtarë që nuk kanë skuadra, janë kthyer nga lëndimi apo që kanë pak minutazhë në klubet e tyre.

Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova janë dy mungesat e konfirmuara për ndeshjet që Kosova do t’i luajë në fillim të muajit shtator, në kuadër të kualifikimeve për botërorin e vitit të ardhshëm. Më 2 shtator, Kosova e luan në Batumi ndeshjen kundër Gjeorgjisë, ndërsa më 5 dhe 8 luan ndaj Greqisë dhe Spanjës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ciklin kualifikues Kosova e ka nisur me dy humbje në muajin mars. Humbi në Prishtinë nga Suedia 3:0 dhe në Sevilla 3:1 përballë Spanjës. Gjatë qershorit luajti edhe katër ndeshje miqësore. Fitoi ndaj San Marinos, Maltës dhe Gambisë, ndërsa humbi nga Guinea.

Por, ndeshjet e muajit të ardhshëm vlerësohen vendimtare për rrugëtimin e Kosovës për në botërorin “Katari 2022”. Zeneli e Zhegrova janë të lënduar, ndërsa Samir Ujkani, Hekuran Kryeziu dhe Idriz Voca janë pa skuadra. Ujkani sezonin e shkuar ishte rezervist te Torino, kurse Kryeziu te Zuerichu e Voca te skuadra e Ankaragucut. Voca prishi kontratën për shkak se klubi turk nuk siguroi mbijetesën. Ndërkohë, ardhja e Milot Rashicës është në dyshim për shkak të masave kufizuese ndaj koronavirusit, që ka marrë së fundi Britania e Madhe. Madje, klubet e Premier Leagues kanë marrë vendim të mos lirojnë asnjë lojtar t’i bashkohet shtetit përkatës. Rashica është pjesë e Norwich Cityt. Kosova nuk është në zonën e kuqe të Anglisë, por ardhja e Rashicës mbetet në dyshim, kurse Blendi Idrizi është i lënduar dhe nuk ka stërvitur me Schalken. Celina nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë edicion, për shkak të një problemi shëndetësor, por KOHA ka mësuar se do të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjet e muajit të ardhshëm. Benjamin Kololli së fundi është transferuar në Japoni te Shimizu, ku të mërkurën luajti titullar në humbjen 4:0 nga Kashima Antlers. Për herë të parë me “Dardanët” në një ndeshje zyrtare nuk do të jetë sulmuesi shtatlartë Atdhe Nuhiu, që ka njoftuar më herët për pensionimin nga përfaqësuesja. Pak kohë më parë pensionimin e njoftoi edhe Anel Rashkaj, ndërsa Leart Paqarada dhe Bernard Berisha kanë thënë se nuk do t’i bashkohen Kosovës përderisa në krye është Bernard Challandes. Te Kosova nuk kanë njoftuar për ndonjë telashe rreth masave që shtetet së fundi i kanë vendosur në luftën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kanë thënë se deri tash nuk janë njoftuar nga klubet se mund të mos i lirojnë lojtarët të grumbullohen me Kosovën. Por, kanë lënë të kuptohet se mund të ketë ndryshime në ditët në vijim, në bazë të masave që mund t’i marrin shtetet përkatëse ku lojtarët bëjnë karrierë. Kosova në tetor do t’i luajë dy ndeshje të tjera kualifikuese në udhëtim ndaj Suedisë dhe në shtëpi kundër Gjeorgjisë. Ndërsa, duelin e fundit e luan në nëntor kundër Greqisë në Athinë.

“Besoj se shumë shpejt përzgjedhësi Bernard Challandes do ta bëjë publike listën e lojtarëve. Ekipi pritet të jetë i njëjtë, pa ndonjë ndryshim. Por, i takon ekskluzivisht Challandesit përpilimi i listës”, ka thënë drejtori i përfaqësueses, Muharrem Sahiti, për KOHËN.