Sport

Në dyvjetorin e themelimit, Liqeni arriti suksesin e parë ndërkombëtar

 

Kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës në futsall, Liqeni, ka shkruar historinë në arenën ndërkombëtare. Skuadra nga Drenasi ka arritur ta kalojë fazën parakualifkuese të Ligës së Kampionëve në futsall. Kualifikimi në “Main Round” vjen në dyvjetorin e themelimit të klubit. Në ndeshjen e fundit dhe vendimtare të fazës së grupeve, që është zhvilluar të martën mbrëma në Shtutgart të Gjermanisë, Liqeni e ka mposhtur ekipin gjerman Weilimdorf me rezultatin 3:2.

Golat për ekipin kosovar i shënuan Arbër Shkodra, Jakup Ramadani dhe Sanchez Nagles. Ky i fundit e shënoi golin vendimtar. Skuadra e futsallit nga Drenasi përfundoi e para në grup me nëntë pikë të mbledhura pas tri fitoreve në po aq ndeshje. Realizoi 15 gola dhe pranoi tetë sosh. Në dy ndeshjet e tjera të Grupit H, Liqeni ka mposhtur edhe Tavsancalin (5:0) dhe Helvecian (7:6). Trajneri i Liqenit, Shpend Ibrahimi, ka thënë për KOHËN se ishin të përgatitur maksimalisht për ta kaluar raundin parakualfikues. Ai e pranon se ishte e vështirë, por zbulon se i kishin analizuar në detaje ekipet kundërshtare. Liqeni, sikurse sezonin e shkuar, edhe këtë edicion ka tre lojtarë të huaj në radhët e veta, kolumbianët Camilo Sanchez, Yulian Diaz dhe Stiven Abril.