Sport

Në fundin e një vere të jashtëzakonshme futbolli, UEFA shpall më të mirët

Edhe pa transferimin e Kylian Mbappes apo edhe të Cristiano Ronaldos, kjo verë vlerësohet e jashtëzakonshme për futbollin ndërkombëtar. Është lëvizja e Lionel Messit, për shumë njerëz lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, që e bën verën e 2021-s, të veçantë sa i takon futbollit. Për shumë ditë, Messi ishte tema kryesore në sportin ndërkombëtar dhe jo vetëm. Messi në mënyrë dramatike u nda me Barcelonën dhe tashmë është pjesë e skuadrës së Paris Saint-Germainit.

Në verë është mbajtur edhe Evropiani i shtyrë i futbollit, që është vlerësuar fitore e madhe për sportin, mbi të gjitha për shkak të kthimit të tifozëve në stadiume. Dhe tani njëra prej organizatave më të fuqishme sportive, Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA), shpall më të mirët e edicionit të kaluar, 2020/2021.

Të enjten në Stamboll ndahet çmimi “UEFA Men’s Player Of The Year 2020/2021”. Më i miri i edicionit të kaluar në futbollin evropian shpallet në ceremoninë e tërheqjes së shortit të Ligës së Kampionëve për edicionin 2021/2022. Ceremonia e hedhjes së shortit dhe e shpalljes së më të mirëve në futbollin evropian mbahet në “Haliç Congress Center” në Stamboll të Turqisë. Do të ndahen shumë çmime nga UEFA, që po i kushton rëndësi gjithnjë e më të madhe ceremonisë së saj të shpalljes së më të mirëve.

Si organizatore e Ligës së Kampionëve dhe e Evropianit të futbollit, UEFA është prej organizatave më të fuqishme sportive. Është e fuqishme edhe në aspektin financiar, ndërsa ka dalë edhe më e fortë nga beteja e fituar me klubet e mëdha evropiane që dolën me vendimin për të formuar Superligën Evropiane. Ndonëse vendimi u mor, Superliga Evropiane, e ndarë nga UEFA, nuk u formua dhe klubet më të mëdha mbetën pjesë e Ligës së Kampionëve. Real Madridi, Barcelona, Juventusi, Manchester Unitedi, Paris Saint-Germaini, Liverpooli, Chelsea, Bayerni, Manchester City, Interi dhe skuadrat tjera të mëdha kontinentale, të enjten mbrëma mësojnë kundërshtarët e grupit në Champions. Ndërkohë, Evropa mëson lojtarin më të mirë të saj për edicionin e kaluar, 2020/2021. Nuk do të jetë ndonjëri prej emrave aktualisht më të mëdhenj e më të përfolur, Messi, Mbappe apo Ronaldo.

Me shumë mundësi do të jetë njëri prej mesfushorëve të Chelseat, skuadrës londineze që fitoi Ligën e Kampionëve. Favorit llogaritet N’Golo Kante, francezi i pandalshëm i mesfushës së Chelseat. Pa gjasa nuk është as Jorginho, braziliani me pasaportë të Italisë që me Chelsean ka fituar Championsin, ndërsa me “azurët” e ka fituar Evropianin. I treti lojtar në konkurrencë për të mirin e Evropës për edicionin e kaluar është Kevin de Bruyne, belgu i Manchester Cityt. City luajti në finale të Championsit, ndërsa e fitoi Premier Leaguen. UEFA tashmë ka bërë të ditur tre lojtarët me më së shumti vota. Ndërsa fituesi do të shpallet në ceremoninë në Stamboll. Një juri goxha e gjerë shpall më të mirin e vitit sipas UEFA-s. Votat e tyre i kanë dhënë trajnerët e 24 përfaqësueseve që ishin pjesë e “Euro 2020”, të mbajtur këtë verë. Kanë votuar edhe trajnerët e 80 klubeve që ishin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve apo të Ligës së Evropës në edicionin e kaluar. Juria përbëhet edhe nga 55 gazetarë sportivë që përfaqësojnë 55 vendet anëtare të UEFA-s. Prej trajnerëve dhe gazetarëve është kërkuar të vlerësojnë me pesë pikë më të mirin e vitit, me tri pikë të dytin më të mirin e vitit dhe me një pikë të tretin më të mirin të vitit. Dhe lista finale është bazuar në numrin total të votave.

Trajnerët nuk janë lejuar të votojnë për lojtarët e skuadrave të tyre. Messi e të tjerët nuk kanë zënë vend në listën e tre finalistëve. Messi është i katërti, ndërsa Robert Lewandowski i pesti. Pasojnë Gianluigi Donnarumma, Kylian Mbappe, Raheem Sterling, Cristiano Ronaldo e Erling Haaland. Tri futbolliste të Barcelonës janë në konkurrencë për më të mirën e edicionit të kaluar, ndërsa për trajnerin më të mirë konkurrojnë Pep Guardiola i Manchester Cityt, Roberto Mancini i Italisë dhe Thomas Tuchel i Chelseat. Guardiola fitoi Premier Leaguen dhe ishte në finale të Championsit. Mancini u vlerësua lart për punën e bërë te Italia, që fitoi titullin e Evropës, ndërsa vlerësim maksimal mori edhe Tuchel që për kohë të shkurtër te Chelsea ia doli të fitojë Ligën e Kampionëve. Shpallet edhe trajneri më i mirë te futbollistet, ndërsa ndahen edhe çmimet pozicionale në Ligën e Kampionëve. Pra shpallet portieri më i mirë i Championsit, mbrojtësi më i mirë i Championsit, mesfushori më i mirë dhe sulmuesi më i mirë. Për çmimet pozicionale pos gazetarëve kanë votuar edhe 32 trajnerët e skuadrave që ishin në fazën grupore të Championsit, edicionin e kaluar. Shpallen më të mirat e pozitave të caktuara në Championsin e futbollisteve. Por çmimi i lojtarit më të mirë të vitit është kryesori. Dhe për herë të parë tre mesfushorë janë në konkurrencë të ngushtë.