Sport

Berisha do të largohet nga Australia për t’u kthyer në Gjermani që ta mbyllë karrierën

Golashënuesi më i mirë në histori të A-League të Australisë, Besart Berisha, do të largohet nga vendi dhe do të kthehet në Gjermani në një përpjekje për të nënshkruar një kontratë njëvjeçare, që do të jetë e fundit në karrierën e tij aktive si futbollist. Kështu kanë raportuar të mërkurën mediumet australiane. Berisha, 36-vjeçar, u la i lirë këtë dimër nga Western Unitedi, klub që nuk i ofroi një kontratë të re pasi përfundoi marrëveshja e tij dyvjeçare. Pavarësisht se ishte në fazën e veteranëve, sulmuesi i lindur në Kosovë arriti të shënojë 26 gola në 50 paraqitje për klubin nga A-League dhe kishte shpresuar të siguronte edhe një marrëveshje të fundit në atdheun e tij të birësuar. Berisha ishte i prirë për Melbourne Victoryn, klubin për të cilin ai luajti dhe fitoi dy tituj kampioni të Australisë, për t’ia ofruar një kontratë të fundit në karrierë. Trajneri i Melbournet, Tony Popoviq, dhe stafi i klubit ishin të interesuar për një kohë, por nuk e panë sulmuesin si titullar të rregullt dhe nuk i ofruan marrëveshje - duke e lënë Berishën të përballet me perëndimin e tij në futboll, diçka që ai nuk është gati ta bëjë ende.

“Unë jam 36 vjeç, por mendoj se mund të luaj akoma për një sezon tjetër. Kam kaluar dy muajt e fundit në shtëpi, duke u stërvitur, duke e mbajtur veten në formë, duke kërkuar të gjej një mundësi. Unë po flisja me klubet, por në fund asgjë nuk ka ndodhur, kështu që unë duhet të mendoj për të ardhmen time”, tha Berisha. “Ekziston një mundësi jashtë shtetit dhe nëse mund të bëhet, unë me të vërtetë dua ta bëj atë, për të luajtur sezonin tim të fundit në Gjermani, ku gjithçka filloi për mua, do të ishte e veçantë”.

Sidoqoftë, ai u tregua gjithashtu i qartë se do të ishte shumë i lumtur sikur ta kishte përfunduar karrierën në Australi.

“Kam pasur 10 vjet të mrekullueshëm këtu, duke fituar tituj me Victoryn e Brisbanen, jam stërvitur dhe kam luajtur me disa lojtarë të mëdhenj”, tha Berisha duke kujtuar kohën kur ai luante nën urdhrat e trajnerëve si Kevin Muscat dhe Ange Postecolgou, ndërsa për bashkëlojtarë kishte Mark Milliganin e Archie Thompsonin te Victory, Thomas Broichin në Brisbane dhe Alessandro Diamantin te Western Unitedi. “Melbourne Victory ishte ekipi ku do të kisha dashur ta përfundoja karrierën. Është pak e trishtuar sepse me të vërtetë doja të kisha një tjetër udhëtim me ta, por nuk ndodhi. Unë ende ndihem i aftë dhe i fortë dhe jam i vendosur të vazhdoj atje ku më jepet mundësia. Por, unë jam shumë mirënjohës për njerëzit që takova, njerëzit për të cilët kam luajtur në Australi, madje edhe njerëzit që më urrenin, mund të them vetëm se jam shumë mirënjohës që erdha në këtë vend dhe arrita një sukses kaq të pabesueshëm”.

Berisha nuk e përjashton mundësinë e kthimit në futbollin australian, por në rolin e trajnerit.

“Dhe, nëse kam një shans më vonë në jetën time si trajner për të ardhur këtu - dhe është pasioni dhe ëndrra ime të jem trajner - nuk do të hezitoj kurrë të kthehem në këtë vend dhe të stërvit një ekip të A -League. Dua t’i falënderoj të gjithë mbështetësit që më kanë mbështetur mua dhe familjen time në këtë vend”.

Berisha është duke pritur për konfirmimin e fluturimit, por shpreson të udhëtojë përsëri në Evropë javën e ardhshme. Si një lojtar pa kontratë, ai ende mund të nënshkruajë për një klub nëse i ofrohet një marrëveshje edhe nëse afati kalimtar është i mbyllur. Sulmuesi i rritur në Gjermani, shënoi 142 gola në dekadën e tij në A-League, një magji e cila filloi kur trajneri Postecoglou e transferoi në Brisbane Roar. Në Queensland, ai ishte pjesë e ekipit të shkëlqyer të Brisbanet, i cili ishte i pari që fitoi dy tituj rresht në A-League - më 2011 dhe 2012. Pas Brisbanet, Berisha shkoi në jug për t’u bashkuar me trajnerin Muscat te Melbourne Victory, duke i ndihmuar që ta fitojnë titullin e kampionit në vitin 2015 dhe 2018. Berisha pati një periudhë të shkurtër dhe të pakënaqshme te Hiroshima Sanfrecce në J-League të Japonisë, para se të kthehej për të qenë pjesë e skuadrës së parë perëndimore që u paraqit ndonjëherë në A-League, Western Unitedi. Sulmuesi karrierën e nisi tek ekipi pak i njohur në Gjermani, Tennis Borussia Berlin në vitin 2003, kurse pas një viti u transferua te Hamburgu. Ai, gjithashtu, karrierë në Evropë bëri edhe te skuadrat Aalborg, Horsens, Burnley, Rosenborg e Arminia Bielefeld përpara se të zhvendosej në Australi në vitin 2011. Berisha në dy raste, është shpallur edhe golashënuesi më i mirë në A-League, në sezonin 2011/12 dhe 2016/17. Prej vitit 2006 deri në vitin 2009, e përfaqësoi Shqipërinë ku shënoi një gol në 17 ndeshje, ndërsa në vitin 2017 vendosi të luante për Kosovën, shtet për të cilin ka vetëm një paraqitje.