Sport

Xhaka rinovon me Arsenalin dhe thotë se ka synime të mëdha këtë sezon

Mesfushori Granit Xhaka e ka konfirmuar rinovimin e kontratës me skuadrën e Arsenalit, në një intervistë për uebfaqen zyrtare të klubit. Ai ka thënë se është i kënaqur me rinovimin e kontratës, ndërsa ka shtuar se gjatë verës ka refuzuar edhe kalimin te skuadra e Romës. Me rinovimin e kontratës Xhaka do të jetë pjesë e Arsenalit deri në verën e vitit 2024. Mesfushori është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016, kur iu bashkua nga Borussia Moenchengladbachu, dhe aktualisht është njëri prej lojtarëve më me përvojë në klub.

“Jam shumë i lumtur që jam ende këtu. Kam firmosur kontratën e re dhe natyrisht që dua të jap gjithçka nga vetja për klubin dhe tifozët, në çdo stërvitje dhe ndeshje”, ka thënë Xhaka, 28-vjeçar.

Këtë edicion Arsenali ka pësuar dy humbje në po aq ndeshje të luajtura në Premier League, kurse Xhaka e ka bartur shiritin e kapitenit. Arsenali ka pësuar nga Brentfordi në udhëtim dhe Chelsea në shtëpi. Të dyja ndeshjet i ka humbur me rezultatin 2:0. Aktualisht zë vendin e parafundit në tabelë. Xhaka ka thënë se i vjen shumë keq që nuk kanë mundur t’i shpërblenin tifozët me një rezultat të mirë kundër Chelseat. Megjithatë, ai ka insistuar se beson që Arsenali do të rikthehet fuqishëm duke startuar nga ndeshja e ardhshme, të cilën e luan në udhëtim ndaj kampionit në fuqi, Manchester City.

“Jam shumë i zhgënjyer, sepse e kishim përkrahjen e tifozëve, dhe doja që t’u jepnim atyre diçka. Mirëpo Chelsea është njëri prej ekipeve më të mira në Evropë. Ne do ta analizojmë lojën dhe pavarësisht zhgënjimit duhet të vazhdojmë tutje”, ka thënë Xhaka. “Sigurisht, është krejtësisht ndryshe me tifozët në tribuna. Ne po punojmë që t’i gëzojmë ata dhe besoj se do t’ia dalim mbanë. Së bashku, jam i sigurt se do të kthehemi te fitoret sa më shpejt”.

Megjithatë, Xhaka ka insistuar se edicioni është shumë i gjatë dhe se Arsenali ka synime të mëdha. Madje ai ka insistuar se beson të arrij diçka të madhe me ekipin nga Londra në këtë sezon.

“Nuk mendoj se sezoni ka mbaruar pas dy ndeshjeve. Ne e dimë që kemi humbur dy ndeshjet e para dhe jemi shumë të zhgënjyer, por kemi ende edhe shumë ndeshje për të luajtur. Një sezon nuk përfundon kurrë pas dy, tre ose katër ndeshjesh. Ne e dimë se duhet të bëjmë gjëra më të mira, por kjo do të vijë së shpejti, dhe, siç them unë, ne duhet të besojmë tek njëri-tjetri në mënyrë që të dalim nga kjo situatë”, ka insistuar Xhaka. “Ne duam të arrijmë diçka të madhe, natyrisht. Pas dy ndeshjeve shumë njerëz po flasin për këtë ekip dhe për këtë klub, por unë do të them që asnjë sezon nuk përfundon pas dy ose tri ndeshjeve. Kemi ende ndeshje para nesh, e dimë se duhet të përmirësojmë shumë gjëra dhe jam i sigurt se do ta bëjmë këtë”.

Mesfushori i Zvicrës ka insistuar se Arsenali shumë shpejt do t’i befasojë të gjithë me rezultatet e mira në fushë. Ai ka thënë se është i motivuar nga kritikat për ta udhëhequr klubin përpara.

“Ne duhet të qëndrojmë së bashku, pavarësisht kritikave. Vetëm duke qëndruar së bashku dhe duke punuar mund të marrim rezultate të mira në fushë, që besoj se shumë shpejt do të vijnë”, ka thënë Xhaka.

Edicionin e shkuar Xhaka pati një gol e dy asistime në 45 paraqitje në të gjitha ndeshjet për Arsenalin. Mesfushori kosovar vlerësohet si njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në ekipin londinez nga trajneri Mikel Arteta.