Sport

Drita fiton me përmbysje, Gjilani e Llapi ndalen në barazim

Ardit Tahiri shënoi dy gola të shpejtë për t’ia siguruar Dritës fitoren e parë në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll. Nënkampionia Drita e ka fituar me përmbysje takimin e luajtur në stadiumin e Gjilanit kundër Feronikelit me rezultatin 2:1. Kjo ndeshje u zhvillua të shtunën dhe i takoi javës së parë të elitës së futbollit kosovar.

Futbollisti Tahiri u inkuadrua në minutën e 76-të, ndërsa dy golat e fitores i shënoi brenda tre minutash. Të parin e shënoi në minutën e 77-të, ndërsa në minutën e 80-të të dytin për epërsinë 2:1 të Dritës, rezultat me të cilin edhe u mbyll takimi. Për Tahirin ishte ndeshje debutuese me fanellën e Dritës. Goli i dytë i Tahirit u konfirmua me VAR pas rishikimit nga gjyqtari kryesor, Besfort Kasumi. Është edicioni i parë që do të implementohet sistemi VAR.

Tahiri theksoi se e ka të vështirë t’i shprehë me fjalë emocionet që ka përjetuar për dy golat e parë në debutim. Ai te Drita u transferua nga skuadra e Besës së Pejës.

“Është vështirë të tregoj me fjalë për emocionet e këtij debutimi. Është një skuadër mjaft e mirë. Besuam se do ta kthejmë rezultatin dhe ia dolëm. Nuk lëshohem në këtë pjesë, ia lëmë fushës se sa gola do të shënoj. Falënderoj tifozët ‘Intelektualët’ për mbështetjen dhe të gjithë në klub”, ka thënë Tahiri.

Drita pati edhe disa raste të mira shënimi, ndërsa për Feronikelin golin e vetëm e realizoi Sokol Kiqina në minutën e 42-të. Edhe Feronikeli pati momentet e saj gjatë kësaj ndeshjeje.

Ndërkohë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, thotë se kishte besim që futbollistët e tij do ta përmbysnin rezultatin dhe ta fitonin ndeshjen ndaj Feronikelit.

“Përgëzoj lojtarët për fitoren, karakterin e treguar dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Nuk kisha vërejtje edhe pse ishim në disavantazh. Besuam deri në fund dhe ia dolën ta fitojnë ndeshjen. Kampionati është i gjatë, kemi mësuar nga viti i kaluar. Kemi fondin e lojtarëve dhe mund të jenë zëvendësues secili për secilin. Më mirë të më dhëmb koka që të kem më shumë futbollistë sesa të mos kem”, ka thënë Nuhiu pas fitores në ndeshjen hapëse.

Edhe në xhiron e dytë, Drita do të jetë vendëse, ndërsa do ta presë fituesin në fuqi të Kupës, Llapin.

Ndërkohë, ekipi tjetër gjilanas, Gjilani, e ka siguruar në fund një pikë në ndeshjen ndaj Drenicës. Ndeshja Drenica – Gjilani u zhvillua të shtunën në “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Gjilani e nisi më mirë takimin ku në minutën e 9-të Blerim Krasniqi gjuajti, por topi u ndal nga shtylla pingule.

Drenica, megjithatë, kaloi në epërsi. Golin për skuadrën nga Skenderaj e shënoi Jose Denisson Silva në minutën e 16-të nga gjuajtja e lirë. Gjilani siguroi barazimin me autogolin e Lushtakut.

Trajnerit të Drenicës, Tahir Lushtakut, i vjen keq që futbollistët e tij nuk arritën ta fitojnë ndeshjen ndaj Gjilanit.

“Futbolli i ka këto, nuk të përcjellë edhe fati. Kemi qenë në epërsi deri në minutën e 90-të. Ishte një pakujdesi dhe pësuam një gol që me pak fat kemi mundur të dalim me pikët e plota. Nëse flasim për paraqitjen në përgjithësi, vij pas një kohe 18 muajsh dhe mënyra si ka luajtur Drenica më parë dhe tash, jam i kënaqur. Na pret një kampionat i vështirë, por jam i kënaqur me mënyrën se si kemi luajtur. I kanë kryer detyrat me përpikëri futbollistët. Futbollistët kanë treguar disiplinë të madhe”, ka thënë Lushtaku.

Drenica ndeshjen e dytë e luan kundër skuadrës së kthyer në Superligë, Dukagjinit, në Klinë, kurse Gjilani si mysafir i Feronikelit në “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Në barazim u ndal edhe fituesi i Kupës në fuqi i Kosovës, Llapi. Llapjanët nuk kanë arritur të fitojnë më shumë se një pikë në ndeshjen e parë të edicionit 2021/2022 të Superligës së Kosovës në futboll.

Llapi barazoi 1:1 të shtunën në Merdar ndaj Ulpianës së kthyer pas një kohe në elitën e futbollit kosovar.

Ulpiana ishte ajo që kaloi e para në epërsi me golin e shënuar nga futbollisti Argjend Mustafa. Mustafa realizoi gol në minutën e 83-të.

Por, gëzimi ishte i shkurtër për skuadrën nga Lipjani, pasi tre minuta më vonë, Llapit ia siguroi një pikë Alfer Firmino.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë i zhgënjyer që skuadra e tij nuk arriti t’i marrë pikët e plota ndaj Ulpianës. Batatina ka thënë se do të marrë masa për ndeshjet e tjera.

“Është vërejtur lodhja dhe sigurisht që ndikon te koncentrimi i ekipit. Ulpiana shfrytëzoi terrenin që nuk ishte i nivelit të duhur. Ulpiana u mundua të nxjerrë një barazim duke zhagitur lojën. Duhet ta japim maksimumin, të bëjmë ndryshimet për ndeshjet e tjera. Firmino tregoi se është lojtar cilësor. U ndëshkuam me këtë barazim, pro nuk ka përfunduar asgjë. Duhet të marrim masa për ndeshjet e tjera”, ka thënë Batatina.

Llapi në xhiron e dytë luan kundër nënkampiones në fuqi të Kosovës, Dritës, në Gjilan.

Të dielën do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të xhiros së parë të elitës së futbollit kosovar ajo në mes të Malishevës dhe kampiones Prishtinës, si dhe Ballkani – Dukagjini. Këtë edicion gara e dhjetë skuadrave do të bëhet për katër vende në garat evropiane. Kampioni do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, vendi i dytë, i tretë dhe fituesi i Kupës në kualifikimet e Ligës së Konferencës.