Sport

Feronikeli zyrtarizon nëntë lojtarë të rinj

Klubi i futbollit, Feronikeli, ka zyrtarizuar nëntë transferime të premten, duke thënë se që të gjithë do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Dritës të shtunën, në hapje të sezonit të ri.

Behar Maliqi është emri më i njohur që klubi nga Drenasi ka zyrtarizuar sot. Mesfushori me përfojë rikthehet në “Rexhep Rexhepi” pas largimit nga Prishtina.

Ky është prezantimi që u ka bërë transferimeve të reja Feronikeli:

Behar Maliqi – mesfushori me shumë përvojë, i transferuar te skuadra jonë nga FC Prishtina. Ai e njeh shumë mirë ambientin në Rexhep Rexhepi, pasi që kjo është aventura e tij e dytë me fanellën gjelbër e bardhë. Ai fitoi gjithçka që mund të fitohet me Niklin, duke qenë kampion e fitues i Kupës. Grinta e tij dhe dëshira për fitore ka ende shije të mirë në skuadër.

Dren Gashi – sulmuesi i cili e njeh shumë mirë Superligën e Kosovës, ka përvojë dhe bagazh edhe në futbollin e Shqipërisë me Egnatian.

Azem Bejta – mbrojtësi që vjen nga skuadra e Drenicës, i motivuar dhe i gatshëm për një aventurë të re me skuadrën tanë. Ai ka përvojë të jashtëzakonshme kundër skuadrave të Superligës së Kosovës.

Qemajl Elshani – Mesfushori kreativ rikthehet në Rexhep Rexhepi. Ai do të jetë mbështetje e fortë e sulmit për këtë sezon. Elshani u rrit me Feronikelin e po ashtu fitoi gjithçka që mund të fitohet në Kosovë. Prandaj rikthimi i tij në klub padyshim që do ta ngritë moralin dhe dëshirën për fitore.

Berat Ahmeti – I rikthyer në klub pas disa ndeshjeve të zhvilluara me Llapin dhe Ulpianën. Ahmeti tejet i gatshëm për sezonin e ri që fillon të shtunën.

Alban Shabani – mesfushori shkatërrues që nuk kursehet asnjëherë. Shabani ka përvojë edhe në futbollin e Shqipërisë, duke qenë pjesë e Skënderbeut.

Diar Prokshi – djaloshi që u largua si i ri, rikthehet më i pjekur e më i matur. Prokshi, anësor kreativ do të jetë mbështetje e fortë e sulmit për këtë sezon.

Drilon Leku – mesfushori tjetër që hapat e parë i mori te Feronikeli, për të qenë më vonë pjesë e FC Drenasit. Ai rikthehet në klub me bagazh dhe maturi më të madhe.

Endrit Kastrati – Punëtor dhe profesionist. Kastrati nuk kursehet asnjëherë në fushë, gjithnjë në ndihmë të shokëve të skuadrës dhe ekipit që përfaqëson.