Sport

Lukaku nuk ka nevojë për periudhë adaptimi te Chelsea, debuton ndaj Arsenalit

Descriptive Text

Sulmuesi Romelu Lukaku nuk do të ketë nevojë për shumë kohë për t'u përshtatur te Chelsea dhe në Premier League. Më pak se një javë pasi u bë lojtari më i shtrenjtë i Chelseat, belgu 28-vjeçar tha se është gati të luante të dielën kundër Arsenalit, dhe me fanellën me numrin nëntë që u bë e disponueshme pas transferimit të Tammy Abrahamit që iu bashkua skuadrës së Romës. Lukaku iu bashkua Chelseat nga Interi për 115 milionë euro, një tarifë rekord transferimi për kampionët e Evropës. Ai nënshkroi një kontratë pesëvjeçare një dekadë pasi iu bashkua Chelseat si adoleshent.

“Unë jam në dispozicion për trajnerin nëse ai dëshiron të më luajë mua”, tha Lukaku të mërkurën në një konferencë për shtyp.

Përveçqë ka mësuar më shumë për tendencat e shokëve të tij të skuadrës, Lukaku është gati për debutim. Ai ka luajtur jashtë Premier Leagues vetëm për dy vjet sa ishte pjesë e Interit, dhe tha se Chelsea luan një stil të ngjashëm me Përfaqësuesen e Belgjikës. Kjo edhe është arsyeja që Lukaku nuk ka nevojë për periudhë adaptimi në “Stamford Bridge”. Ai madje e shfrytëzoi kohën e tij në karantinë, duke marrë këshilla nga kapiteni i Chelseat, spanjolli Cesar Azpilicueta.

“Ai ka qenë këtu për shumë vite. Ai është një kapiten i madh”, tha Lukaku, që të martën i nisi stërvitjet me Chelsean. “Kur isha në karantinë, ai tashmë po më dërgonte mesazhe se ku të gjeja shtëpi dhe gjëra. Ishte sikur të mos isha larguar kurrë. Marrëdhënia është ende e paprekur”.

Lukaku kishte qenë me Chelsean për tre vjet nga viti 2011, megjithëse ai ishte huazuar për dy nga ato sezone para se të shitej përfundimisht tek Evertoni. Ai më vonë u bashkua me Manchester Unitedin para se të kalonte në Inter. Ai shënoi 47 gola në 72 paraqitje në Serie A dhe ndihmoi Interin të fitonte titullin e kampionit në sezonin e shkuar për herë të parë që nga viti 2010. Lukaku tha se loja në Itali është më shumë “teknike dhe taktike”.

“Loja angleze është e ndryshme”, tha ai. “Nuk është diçka e re për mua, pasi unë jam kthyer në ekipin tim dhe jam përshtatur vetëm me shokët e ekipit. Çfarëdo plani loje që ka trajneri, unë mund të përshtatem dhe të ndihmoj ekipin në sezonin e ri”.

Një sulmues u konsiderua si një përparësi këtë sezon gjatë afatit kalimtar të verës për Chelsean, që e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve pa pasur një qendërsulmues të rregullt, pasi Timo Werner u mërzit pas lëvizjes së tij nga Leipzigu dhe nuk arriti të adaptohej tek ekipi londinez. Krahas Ligës së Kampionëve, Chelsea javën e shkuar e fitoi edhe Superkupën e Evropës. Ndërsa në Premier League, ekipi i trajnerit Thomas Tuchel e nisi edicionin e ri, me fitore bindëse 3:0 ndaj Crystal Palacet të shtunën e shkuar. Chelsea është duke kërkuar titullin e parë në Premier League që nga sezoni 2016/17.

“Ka një intensitet të mirë. Trajneri Thomas Tuchel është shumë i qartë me idetë e tij”, tha belgu Lukaku. “Të gjithë duan të punojnë shumë dhe të vazhdojnë të përmirësohen, por më e rëndësishmja është të fitojnë. Ambiciet i kemi të mëdha dhe jam i bindur se mund t’i realizojmë”.

113 golat e Lukakut në Premier League po i japin shpresë Chelseat se mund ta fitojë titullin e kampionit këtë sezon. Lukaku, gjithashtu, është golashënuesi më i mirë i Belgjikës i të gjitha kohërave. Prej vitit 2010, kur ka debutuar te Belgjika, Lukaku deri më tani ka shënuar 64 gola në 98 paraqitje.

“Me Belgjikën luajmë të njëjtin sistem të lojës si Chelsea, kështu që kjo është një gjë shumë e mirë për mua. Unë nuk kam nevojë për periudhë adaptimi te Chelsea dhe besoj se do të luaj kundër Arsenalit. Dua ta ndihmoj ekipin menjëherë në arritjen e synimeve”, u shpreh Lukaku.

Lukaku nuk shënoi në 15 paraqitje në periudhën e tij të parë në Chelsea, ekip të cilit iu bashkua me ëndrrat për të qenë po aq i suksesshëm sa legjenda e klubit, Didier Drogba. Tani, ai ka një shans të dytë dhe është i gatshëm për ta dëshmuar veten. Madje, edhe ish-sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Drogba kohët e fundit i dha atij këshilla.

“Ai gjithmonë thotë se ka më shumë punë për të bërë. Ky është mentaliteti i duhur”, tha Lukaku. “Tani, kam mundësinë të bashkohem me një ekip shumë të uritur, shumë ambicioz dhe mezi pres t'i ndihmoj ata dhe të shtoj diçka të re në stilin e tyre të lojës”.

Duke pasur parasysh fanellën me numrin 18 në mbërritjen e tij te Chelsea, Lukaku rrezatoi kur u pyet për numrin e tij të ri.

“Kam numrin nëntë. Jam shumë i lumtur dhe me fat që jam në këtë situatë”, pranoi Lukaku.