Sport

Krasniqi po bëhet gati për ta mbrojtur titullin, verën e ardhshme bokson në Prishtinë

Për shkak të një gëzimi familjar, po qëndron në Kosovë. Por, vetëm për pak ditë. Boksieri Haxhi Krasniqi është në vlugun e përgatitjeve për meçin e ardhshëm dhe nuk shkëputet shumë nga procesi stërvitor. Për këtë arsye edhe ka rralluar vizitat në Kosovë dhe i ka limituar ato në dy-tri ditë.

Krasniqi ka prekur nivelin më të lartë në boks dhe synon të qëndrojë aty. Rrugëtimi i gjatë dhe jo i lehtë në boksin profesionist e ka mësuar se kjo është e mundur vetëm me punë maksimale dhe përkushtim të plotë.

Junikasi 34-vjeçar, i njohur me emrin Robin në Gjermani dhe në boksin profesionist, aktualisht është kampion i botës. Është kampion në boksin profesionist. E mban titullin e përkohshëm në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBA (World Boxing Association). WBA-ja është njëra prej katër versioneve të mëdha të boksit profesionist.

Krasniqi e ka fituar titullin e botës më 10 tetor të vitit të kaluar në Magdeburg të Gjermanisë. Shkëlqeu ndaj gjermanit Dominic Boesel, të cilin e nokautoi me goditje të fuqishme. Krasniqi e kishte përfunduar meçin në raundin e tretë.

“Ka dhjetë javë që po përgatitem intensivisht për meçin e ardhshëm. Ideja është që ta mbroj titullin ndaj Boeselit. Por, nëse ai tërhiqet eventualisht, atëherë titullin do ta mbroj ndaj njërit prej boksierëve që është lart në renditje”, ka thënën Krasniqi të dielën për KOHËN.

Data për meçin e ardhshëm nuk është zyrtarizuar ende. Por, meçi do të mbahet gjatë tetorit, përkatësisht një vit pas meçit të parë me Boeselin. Meçi do të zhvillohet në Gjermani dhe do të transmetohet në njërën prej televizioneve më të mëdha gjermane. Për shkak të transmetimit televiziv, nuk ka mundësi që meçi të shtyhet. Termini do të respektohet, ndërsa mund të ndërrohet vetëm kundërshtari.

Boesel është kundërshtar i obligueshëm, por ka gjasë që ai të heqë dorë nga meçi. Nokauti që pësoi nga Krasniqi ishte i rëndë dhe ai nuk e ka kaluar lehtë atë traumë. Boesel ka shënuar një fitore më 22 maj, ndërsa Krasniqi nuk ka boksuar që nga lufta për titull.

“Po ndihem si asnjëherë më parë. Jam gjatë në boks, mbi 15 vjet, por asnjëherë nuk kam qenë në formë si tani. Synimin që e kam pasur për karrierën në boks e kam arritur, kam titull të botës, dhe kjo nuk do të ndryshojë. Po ndihem shumë më i lehtësuar që e kam kaluar atë barrierë. Jam plot energji e vullnet për suksese të reja. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, fizikisht jam shumë mirë dhe puna që po e bëj është e jashtëzakonshme. Është kjo punë që më ka karakterizuar vazhdimisht dhe që ma ka mundësuar të arrij këtu ku jam. Me punë të madhe do të vazhdoj ende. Ka edhe shumë javë deri te meçi, por edhe sikur ai të mbahej tani, unë do të isha plotësisht i gatshëm. Mund të them se edhe kur nuk kam meç, unë jam më i përgatitur se shumica e boksierëve tjerë. Kjo falë punës serioze dhe të madhe që e bëj me dy trajnerët e mi”, ka shtuar junikasi Krasniqi.

Në tetor të vitit 2005, Krasniqi e kishte nisur karrierën. Ka nisur në nivel të ulët, pa karrierë amatore dhe “me gjoks”, pa shumë përkrahje, ka hapur rrugën. Ka tejkaluar shumë pengesa, shumë padrejtësi, dhe ka prekur nivelin e lartë. Ka bërë shumë meçe për të arritur suksesin e synuar. Deri më tani i ka 51 fitore e gjashtë humbje. 19 prej fitoreve i ka me ndërprerje. Ka humbur dy meçe në nismë të karrierës, ndërsa katër humbje tjera i ka në meçe të mëdha, dy në luftëra për titull të botës.

Por, humbjet nuk e kanë zmbrapsur. E kanë kompletuar si boksier. Ai ka mbajtur gjatë tituj të Evropës dhe tani po e mban titullin e botës, njërin prej tre titujve që i ka versioni WBA.

Krasniqi e sheh veten edhe pak vjet në boksin profesionist. E gëzon forma fizike që po kalon, por nuk e ka ndërmend të bëjë shumë meçe. Maksimalisht i planifikon dy në vit. Gradualisht ka nisur angazhimin edhe jashtë boksit, në biznese të ndryshme, edhe në Kosovë. Po ashtu ka hapur palestër të boksit në Gjermani. Pra, është i përgatitur për jetën që e pret pas karrierës në boks. Po ndërton mbi karrierën e bërë në boks, por veten e sheh ende në ring.

“I kam në plan edhe disa meçe. Plani është për ta mbrojtur titullin e botës edhe në Prishtinë, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Jam i bindur se do të jetë spektakël, se do të mbushet stadiumi. Shqiptarët e duan boksin dhe një meç për titull në Prishtinë gjithnjë e kam ëndërruar. Ka pasur ide që meçi i ardhshëm të jetë në Kosovë, por kjo nuk do të ndodhë. Me shumë mundësi verën e ardhshme do të boksoj në ‘Fadil Vokrri’. Ky është plani dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Por, fillimisht jam i fokusuar që të përgatitem sa më mirë për luftën e ardhshme, që ta mbaj titullin e botës”, ka theksuar Haxhi Krasniqi.