Sport

Atleti Ramadani kërkon suksesin edhe në Botëror pas të artës në Evropian

Një muaj pasi e fitoi medaljen e artë në Evropianin U-20, atleti mitrovicas, Muhamet Ramadani, po e kërkon të artën edhe në Botërorin U-20, që nis javën tjetër. Ramadani në Botërorin që do të mbahet në Nairobi të Kenisë prej 17 deri më 22 gusht, është kualifikuar me normë botërore. Ai do të paraqitet në disiplinën e hedhjes së gjyles dhe garën e ka të martën. Ramadani të shtunën ka marrë rrugën për Nairobi së bashku me trajnerin Shaban Ramadani, që është edhe babai i tij.

“Natyrisht, që pas të artës në Evropian, synimi im është të kthehem me medalje edhe nga Kampionatin Botëror, kuptohet me të artën”, është shprehur Ramadani, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë për shkak se konkurrenca është shumë e fortë.

Muajin e shkuar, Ramadani arriti suksesin më të madh në karrierë. Ai më 15 korrik e fitoi medaljen e artë në Evropianin U-20, të mbajtur në Tallin të Estonisë. 18-vjeçari, në Tallin e kishte hedhjen më të mirë të gjyles 6 kilogramë prej 19.92 metrash, rezultat ky që e arriti në hedhjen e tij të gjashtë. Në fakt, me rezultatin që ia siguroi medaljen e artë, Ramadani e theu edhe rekordin personal dhe të Kosovës për U-20. Ky sukses në Tallin ishte edhe më i madhi për atletikën kosovare. Ramadani ka pasur disa tituj të Ballkanit për grupmoshat e reja dhe tani ka shtrirë dominimin edhe në Evropë. Vetëm një muaj para suksesit në Tallin, Ramadani e fitoi të artën edhe në Kampionatin Ballkanik për grupmoshën U-20 të mbajtur në Turqi, ndërsa i artë doli edhe në Ballkanikun në palestër që u mbajt në Sofje të Bullgarisë. E në Nairobi, Ramadani po e kërkon të artën e katërt brenda këtij viti, që do të ishte një sukses jashtëzakonisht i madh. Tri medalje i fitoi edhe dy vjet më parë. E nisi me të bronztë në Kampionatin Ballkanik U-20, pastaj fitoi të artën në Ballkanikun U-18 dhe të artën në Festivalin Olimpik Evropian në Baku. I suksesshëm gjiganti mitrovicas ishte edhe në vitin 2020. Të dyja medaljet e arta ballkanike i fitoi në grupmoshën U-20 dhe të dyja në shtetin e Turqisë. Megjithatë, e arta e fituar në Evropianin U-20 mbetet më e rëndësishmja për atletin nga Mitrovica.

“Pritshmëritë i kam për medalje dhe jam përgatitur. Ndoshta rezultati më i dobët do të ishte medalja e bronztë, por pres të artën. Synimet janë të mëdha dhe shpresoj të jem i suksesshëm. Jam i motivuar maksimalisht pas suksesit muajin e shkuar në Evropian, ku e fitova të artën”, ka thënë Ramadani.

Edhe në Federatën Atletike të Kosovës, janë të bindur se Ramadani do të kthehet nga Botërori U-20 me medalje. Ata bazohen në sukseset dhe ngritjen e vazhdueshme të Ramadanit që e ka pasur vitin e fundit.

“Suksesi në Evropian vetëm se e ka motivuar Ramadanin për Botëror. Kështu që, edhe prej Kenisë besojmë se Muhameti do të kthehet me medalje”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës, Abdurrahman Shkodra.

Hedhësi i gjyles, Ramadani, sukseset e fundit i ka arritur duke u stërvitur në një hapësirë të improvizuar në oborrin e shtëpisë së tij. Ndërkohë, vitin tjetër, shpresa e atletikës kosovare pritet të debutojë në grupmoshën U-23.