Sport

Trajneri i Prishtinës: Suksesi në Evropë real, aktualisht nuk mund të shkojmë më larg

Me pesë kundërshtarë të ndryshëm evropianë është përballur kampionia e Kosovës në futboll këtë verë. Prishtina ka luajtur në dy gara të ndryshme, gjithsej tetë ndeshje. Nisi në Ligën e Kampionëve dhe vazhdoi në Ligën e Konferencës. U ndal në raundin e tretë kualifikues.

Arritja në këtë raund është në përputhje me mundësitë aktuale të skuadrës së Prishtinës.

Kështu të paktën ka vlerësuar të premten trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani. Të enjten mbrëma Prishtina humbi 2:0 nga kampioni i Norvegjisë, Bodo/Glimt. Nuk ia doli ta mbrojë fitoren 2:1 nga ndeshja e parë në “Fadil Vokrri” dhe u ndal në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në ndeshjen në Norvegji, Prishtina qëndroi kryesisht në mbrojtje dhe ka shfaqur pak. Gjatë ndeshjes, kalimi i kampionit norvegjez në fushën e tij dukej pak i mundshëm.

Ecuria e Prishtinës është rekorde sa u takon skuadrave kosovare në garat kontinentale. Skuadra prishtinase nisi në raundin parakualifikues të Ligës së Kampionëve. Me fitore 2:0 e kaloi fillimisht kampionin e San Marinos, Folgore, e më pas edhe kampionin e Andorrës, Inter d’Escaldes.

Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, Prishtina përballë e kishte Ferencvaroshin e famshëm hungarez. Humbi 3:1 e 3:0 dhe kështu nuk mundi të avancojë tutje. U bart në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Është kjo garë e re e UEFA-s, e nivelit të tretë.

E kaloi me sukses skuadrën nga Uellsi, Connah’s, ndaj së cilës fitoi 4:1 në shtëpi dhe humbi 4:2 në udhëtim. Arriti te ndeshjet me Bodo/Glimt, por jo edhe më shumë.

Gjithë këto ndeshje kanë mbushur goxha mirë buxhetin e klubit prishtinas, ndërsa trajneri Ramadani është i kënaqur edhe me anën sportive.

“Paraqitja jonë në Evropë mendoj se ishte pozitive. Ishte edhe e suksesshme pasi arritëm deri në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Dhe ky sukses mendoj se është real”, ka theksuar Zekirija Ramadani, të premten.

“Më lart akoma nuk mund të shkojmë. Na duhet kohë dhe përmirësim në çdo aspekt”, ka shtuar Ramadani.

Prishtina ka nisur në edicionin 2017/18 me paraqitje evropiane. Është paraqitur rregullisht prej atëherë në Ligën e Evropës. Kishte kaluar vetëm një kundërshtar në katër vjet, ndërsa edicionin e kaluar dështoi të luajë për shkak të telasheve me koronavirus.

Tani Prishtina u kthehet sfidave vendore. Synim e ka mbrojtjen e titullit, për të cilin kishte pritur gjatë.

“Mendoj që kemi grup të fortë lojtarësh dhe konkurrencë të mirë në ekip. Por, ka mundësi ta rrisim konkurrencën edhe më tepër. Nëse ndodh që gjatë kampionatit të kemi mungesa, duhet të mos eksperimentojmë, por të kemi zëvendësime adekuate në çdo repart”, ka theksuar Ramadani, njëri prej trajnerëve më të vlerësuar në futbollin shqiptar.