Sport

Messi dhe Ramosi - rivalët e mëdhenj te Barça e Reali bëhen bashkëlojtarë te Parisi

Si personazhet kryesore të skuadrave rivale në “El Clasico”, futbollistët u përballën me njëri-tjetrin shumë herë. Tani ata janë bashkuar dhe kanë një qëllim të përbashkët.

Ikonat e mëdha të Barcelonës dhe Real Madridit, Lionel Messi dhe Sergio Ramos, luftuan për më shumë se një dekadë në kulmin e futbollit spanjoll, por tani ata janë bashkëlojtarë te skuadra e Paris Saint-Germainit. Nga përballjet brutale, breshëritë verbale dhe betejat emocionuese një me një, rivaliteti i Ramosit dhe Messit bëri që shkëndijat të fluturojnë në “El Clasicot” e shumtë, ndërsa ata duhet t’i lënë anash të gjitha këto dhe ta ndihmojnë Parisin të arrijë synimin – trofeun e Ligës së Kampionëve.

Image

E enjtja shënoi ditën e parë të stërvitjes së Lionel Messit te PSG-ja dhe shikimi i ish-kapitenëve të Madridit dhe Barçës në një përqafim të ngrohtë do të marrë pak kohë për t'u mësuar. Krahas përqafimit, ata shkëmbyen edhe disa fjalë derisa Messi po bënte ushtrime fizike në palestër dhe të dy po buzëqeshnin me njëri-tjetrin. Madje Ramosi për mediumet spanjolle ka thënë se e ka ditur që PSG-ja do ta transferonte Messin, të cilin tashmë e konsideron si shok skuadre.

Hera e parë që ata u përplasën ishte në vitin 2010, kur zhgënjimi u bë i madh për Ramosin, i cili nuk mundi ta përballonte paraqitjen e mirë të Messit në fitoren e Barcelonës 5:0 ndaj Real Madridit. Ky rezultat e çoi Ramosin në pikën e vlimit. Me argjentinasin, që ishte i pandalshëm në atë takim, në kohën shtesë derisa po kalonte disa nga mbrojtësit e Real Madridit, Ramos e goditi Messin nga prapa duke e përplasur argjentinasin në fushën e stadiumit “Camp Nou”.

“Goditje e tmerrshme nga Ramosi; një goditje e tmerrshme”, thanë komentatorët, duke mos miratuar atë ndërhyrje, për të cilin qendërmbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq dhe u largua nga fusha.

Ramos u përplas me Carlos Puyolin gjatë një debati të nxehtë ndërsa me dorë e largoi edhe Xavi Hernandezin, që ishte afruar të diskutonte me të pas ndërhyrjes së ashpër ndaj Messit. Në fund, Ramos e lëshoi fushën nën shikimin e trajnerit të atëhershëm të Real Madridit, Jose Mourinho, që dukej se ishte i pakënaqur me vendimin e arbitrit. Mourinho e kishte akuzuar Messin për simulime para ndeshjes dhe argjentinasi bëri një shfaqje për të, pavarësisht se nuk shënoi gol për herë të parë në dhjetë paraqitjet e tij në “El Clasico”.

Në përgjithësi epoka e Messit nuk ishte një periudhë e mirë për Real Madridin, në aspektin e brendshëm, me klubin madrilen që fitoi tre tituj kampioni të La Ligas që nga viti 2009, në krahasim me Barcelonën që triumfoi tetë herë. Kjo do të thoshte se duelet ndërmjet Ramosit dhe Messit përfundonin më shpesh në favor të këtij të fundit, me sulmuesin e Barcelonës që shënoi 18 gola në ndeshjet “El Clasico” për të vendosur rekord. Messi, edhe pse nuk shënoi gol kundër Realit që nga viti 2018, ishte në gjendje t’i bënte shumë më tepër dëm skuadrës madrilene.

Ramosi qe përjashtuar me karton të kuq edhe në vitin 2017 për shkak të ndërhyrjes së egër me të dyja këmbët ndaj Messit, në duelin e luajtur në “Santiago Bernabeu”, që përfundoi 2:1 në favor të Barcelonës. Messi e shënoi golin e fitores në minutën e fundit dhe festoi duke e ngritur fanellën e tij lart. Sidoqoftë, Ramosi bëri të qeshurën e fundit atë sezon me Madridin që ngriti titullin. Në shtatë fitoret e fundit në “El Clasico” të Real Madridit, që datojnë që nga viti 2012, Messi shënoi vetëm një herë. Dhe në atë ndeshje Madridi fitoi 2:1 në mars të vitit 2013, kurse ishte Ramosi ai që shënoi golin e fitores. Ai shënoi me kokë në minutën e 82-të, pasi dështoi të ndalonte golin e barazimit që e shënoi Messi.

Ndoshta takimi i tyre më i furishëm erdhi në vitin 2019, kur Ramosi ia dha dorën Messit gjatë një sfide. Mbrojtësi nuk bëri kontakte të pastra me kundërshtarin e tij dhe Messi u zemërua, dhe dyshja goditi kokën e njëri-tjetrit. Me kalimin e viteve ka pasur shumë pika të ndezjes mes të dyve, disa prej të cilave nuk janë ndëshkuar nga zyrtarët e ndeshjes dhe tani kanë humbur në mjegullën e kohës. Por çdo gjë e pazakontë që ndodhi në fushë mes Messit dhe Ramosit tentohej të mbetej në fushë. Ramosi ka pranuar më në fund se Messin gjithmonë e ka vlerësuar si lojtarin më të mirë në botë, pavarësisht se e kishte kundërshtar në fushë.

“Kam respekt të madh për Messin”, pati thënë Ramosi vitin e shkuar. “Mendoj se ai është njëri prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe për këtë e respektoj shumë”.

Në muajt e fundit Ramosi e ndryshoi tërësisht qasjen për Messin, duke i bërë ftesë që t’i bashkohet te Real Madridi. Në fakt ai këtë ftesë ia pati bëri Messit, kur mendohej se Ramos do të mbetej pjesë e skuadrës madrilene.

“Ai mund të qëndrojë në shtëpinë time për një apo dy javë derisa të vendoset në Madrid. Do të isha i lumtur nëse Messi do të më bashkohej te Reali”, ishin fjalët e Ramosit në muajin mars të këtij viti.

Megjithatë, muaj më vonë Ramosi u largua nga Reali pasi klubi vendosi që mos t’ia ofronte rinovimin e kontratës që i skadoi më 30 qershor. Me t’u larguar nga Reali, Ramosi u transferua te PSG-ja. Disa javë pas Ramosit në PSG kaloi edhe Messi dhe kështu dëshira e mbrojtësit spanjoll për të luajtur në një ekip me yllin argjentinas u plotësua.

“Kush do ta kishte menduar, apo jo Leo?”, ishte postimi i Ramosit në “Instagram” në fotografinë ku ishte fanella e tij dhe e Messit afër njëra-tjetrës në zhveshtoren e PSG-së.

Tani, në vend që të përballen njëri me tjetrin, Ramosi dhe Messi kanë bashkuar forcat për ta ndihmuar Parisin që ta fitojë Ligën e Kampionëve, trofe që të dy e kanë fituar me Realin, përkatësisht Barcelonën.