Sport

UEFA publikon të nominuarit për çmimet në Ligën e Kampionëve

Descriptive Text

Futbollistët e Chelseat dhe Manchester Cityt dominojnë në të gjitha pozitat në garën për çmimet e Ligës së Kampionëve për sezonin 2020/21.

Chelsea e fitoi trofeun e Championsit duke e mposhtur Manchester Cityn në finalen e luajtur në Porto. UEFA të premten ka publikuar të gjithë të nominuarit për më të mirët e pozitave të caktuara në Champions. Çmimet do të ndahen në ceremoninë që do të mbahet më 26 gusht në Stamboll, kur do të tërhiqet shorti për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për edicionin e ri.

Çmimet do të ndahen për portierin, mbrojtësin, mesfushorin dhe sulmuesin më të mirë të sezonit 2021/22 në Champions.

Juria është përbërë nga trajnerët e 32 skuadrave që morën pjesë në fazën e grupeve të Championsit sezonin e fundit, së bashku me 55 gazetarë të 55 federatave anëtare të UEFA-s, të zgjedhur nga grupi “European Sports Media” (ESM). Trajnerët nuk janë lejuar të votojnë për lojtarët e ekipeve të tyre. Trajnerëve dhe gazetarëve u është kërkuar të zgjedhin nga tre lojtarë në secilën kategori, duke votuar me pesë, tri dhe një pikë për secilin.

Rezultati final është bazuar në numrin total të votave të trajnerëve dhe gazetarëve.

Pesë lojtarë të Chelseat janë të nominuar, ndërsa City i ka tre, për ta çuar numrin në tetë të skuadrave finaliste. Gjithashtu, përfaqësohen edhe skuadrat si Real Madridi, Borussia Dortmundi, Bayern Munichu e Paris Saint-Germaini. Fituesit e këtyre çmimeve për sezonin 2019/20 ishin Manuel Neuer (portier), Joshua Kimmich (mbrojtës), Kevin De Bruyne (mesfushor) dhe Robert Lewandowski (sulmues).

Të nominuarit për çmimet e Championsit në secilën pozitë

Portierë: Thibaut Courtois (Real Madrid), Ederson (Man. City), Edouard Mendy (Chelsea)

Mbrojtës: Cesar Azpilicueta (Chelsea), Ruben Dias (Man. City), Antonio Ruediger (Chelsea)

Mesfushorë: Kevin De Bruyne (Man. City), Jorginho (Chelsea), N’Golo Kante (Chelsea)

Sulmues: Erling Haaland (Dortmund), Robert Lewandowski (Bayern), Kylian Mbappe (PSG)

Lojtarët e ranguar nga pozita 4 deri në 10

Te portierët në pozitën e katërt është Keylor Navasi i PSG-së me 50 pikë, që nuk kanë mjaftuar për t’u futur në listën e të nominuarve. Pas Navasit në këtë listë vijnë Manuel Neueri (36 pikë), Jan Oblaku (35), Gianluigi Donnarumma (20), Marc-Andre ter Stegeni (13) dhe Agustin Marchesin e Alisson Becker me nga katër pikë.

Sa i përket repartit të mbrojtjes, jashtë listës së nominuarve kanë mbetur Marquinhos (78 pikë), Thiago Silva (59), Kyle Walker (35), Giorgio Chiellini (18), John Stones (15) dhe David Alaba e Leonardo Bonucci me nga 14 vota.

Ndërkohë, në mesfushë nuk kanë siguruar vend në tre të parët: Ilkay Guendogan e Mason Mount (15 pikë), Frenkie de Jong e Luka Modriq (9), Pedri (6) dhe Georginio Wijnaldum e Kai Havertz me nga pesë pikë.

Në sulm kanë mbetur emra të mëdhenj jashtë listës prej tre të nominuarve. Madje në top-dhjetëshe nuk është fare ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo.

Lionel Messi që ditë më parë iu bashkua PSG-së, renditet i katërti me 76 pikë, i përcjellë nga Karim Benzema (70), Neymari (23), Kai Havertzi e Raheem Sterlingu (16) dhe Mason Mount e Romelu Lukaku me nga gjashtë pikë.

Të nominuarit për Ligën e Evropës

UEFA gjithashtu ka publikuar edhe të nominuarit për çmimin e lojtarit më të mirë të Ligës së Evropës për sezonin 2020/21, çmim ky që do të ndahet më 27 gusht po ashtu në Stamboll, kur të tërhiqet shorti për fazën e grupeve të kësaj gare.

Në Ligën e Evropës do të zgjidhet vetëm lojtari më i mirë dhe tashmë janë mësuar tre finalistët: Edinson Cavani e Bruno Fernandesi të Manchester Unitedit dhe sulmuesi Gerard Moreno i Villarrealit. Edicionin e shkuar Villarreali triumfoi në Ligën e Evropës pasi e mposhti në finale Unitedin pas penalltive.

Juria për këtë çmim është përbërë prej 48 trajnerëve të ekipeve që morën pjesë sezonin e fundit në fazën e grupeve dhe prej 55 gazetarëve.

Këto çmime ndahen krahas çmimeve të UEFA-s për lojtarin e vitit te futbollistët dhe futbollistet, si dhe trajnerin e vitit në të dyja konkurrencat, që gjithashtu do të shpallen në ceremoninë e shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për sezonin 2021/22.

Të nominuarit për çmimet kryesore të lojtarëve dhe trajnerëve të vitit si te futbollistët ashtu edhe te futbollistet, do të zbulohen javën e ardhshme.