Sport

Zhvendosja në Rusi e sulmuesit që ishte mes Zvicrës e Kosovës

Ditët kur karriera e Kemal Ademit kishte prekur kulmin po duken gjithnjë e më të largëta. Pasi shpërtheu te Baseli zviceran, Ademi po e shqyrtonte zgjedhjen më të mirë për karrierë profesionale. Kosova ishte shumë e interesuar për të, ndërsa interesim kishte shfaqur edhe Zvicra. Ndonëse në Federatën e Futbollit të Kosovës ishin të bindur se ai do të vendoste për Kosovën, Ademi më shumë ishte i prirë për të luajtur për përfaqësuesen helvetike.

Ishte kohë kur karriera e sulmuesit shtatlartë po zhvillohej hovshëm. Por gati njëjtë hovshëm, karriera e tij ka pësuar rënie.

Pas një viti të pasuksesshëm në Turqi, Ademi të martën ka kompletuar kalimin në Rusi. Ka firmosur me skuadrën e Premier Leagues së Rusisë, Khimki. Zakonisht lojtarët kalojnë në Rusi në fund të karrierës, nëse kanë krizë apo për të bërë më shumë para. Pak e zgjedhin si hap tutje në karrierë. Dhe për Ademin ka pak gjasë të jetë hap para në karrierë. 25-vjeçari ishte pjesë e Fenerbahçes, njërës prej skuadrave më të njohura në Turqi. Dhe ka kaluar te një skuadër pak e njohur ruse. Pak e njohur nëse merret për bazë futbolli ndërkombëtar.

Dhe karriera ndërkombëtare e Ademit ka ngecur. Federata e Futbollit të Zvicrës kishte njoftuar se ka marrë lejen e FIFA-s që Ademi të luajë për përfaqësuesen zvicerane. Por nuk e ftoi asnjëherë. Dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës pos kritikave që kishin ndaj vendimit të tij, nuk kanë njoftuar për hapa tutje. Kështu Ademi, ndonëse me karrierë të mirë, mbetet lojtar që nuk ka luajtur ende për ndonjë përfaqësuese.

Ademi të martën kompletoi kalimin nga Fenerbahçe te Khimki. Iu nënshtrua testeve mjekësore dhe firmosi kontratën. E ka marrë fanellën me numrin 9 si dëshmi se te Khimki presin gola prej tij.

“Edicionin e kaluar nuk kam pasur shumë hapësirë për lojë. Kam vendosur se është koha për të ndryshuar diçka. Dhe kalimi te Khimki ishte opsioni më i mirë”, ka thënë Ademi për sajtin zyrtar të klubit rus. Ai di pak për Rusinë dhe ligën ruse.

“Jam i lumtur. Është hera e parë që jam në Rusi dhe mezi e pres stërvitjen e parë. E tëra që di për Rusinë është se këtu mund të jetë shumë ftohtë. Di pak edhe për ligën. Kur isha te Baseli kemi luajtur ndaj Krasnodarit në Ligën e Evropës. Ishte ekip i fortë. Gjërat tjera duhet t’i mësoj gjatë ndeshjeve”, ka shtuar sulmuesi shtatlartë.

Ademi në tetor të vitit të kaluar kaloi te Fenerbahçe. Ishte pritur të jetë hap para. Por nuk e gjeti veten dhe në janar ishte huazuar te Kargumruk. As aty nuk shfaqi shumë. Dhe Fenerbahçe vendosi ta shiste në Rusi.

Te Fenerbahçe luajti 8 ndeshje gjithsej, ndërsa kishte një gol e një asistim. Te Fatih Karagumruk luajti gjashtë ndeshje, pa ia dalë të shënoi.

Në ediconin 2019/2020 kishte shënuar 13 gola në 26 ndeshje në Superligën e Zvicrës për Baselin. Ishte koha kur për Ademin po interesohej Kosova. Madje, drejtues të FFK-së kishin udhëtuar për në Zvicër dhe kishin aranzhuar një takim me Ademin. Madje kishin përgatitur edhe fanellën e Kosovës me emrin e tij, të bindur se ai do të pranonte të luante për Kosovën. Takimi ishte lënë pas një ndeshjeje, sipas drejtuesve të FFK-së, por Ademi nuk ishte paraqitur. Në vend se ta prezantonin fanellën me një fotografi me Ademin, drejtuesit e FFK-së e kthyen atë në vend. Nuk vonoi shumë, e Federata zvicerane doli me njoftim se Ademi e kishte të drejtën të luante për Zvicrën. Gjëra të mëdha i parashikoheshin në karrierë shtatlartit.

Me 25 vjet, Ademi mund të ketë shumë gjëra para në karrierë. Nuk përjashtohet mundësia që të luajë për Zvicrën apo Kosovën. Por së pari duhet ta kthejë karrierën në rrugën e duhur. Këtë e bën me gola në ligën e vështirë të Rusisë, larg prej skenës së madhe evropiane të futbollit.