Sport

Reali padit presidentin e La Ligas për marrëveshjen me një fond investues

Descriptive Text

Real Madridi do të ndërmarrë veprime ligjore kundër presidentit të La Ligas për një marrëveshje shumë miliardë dollarësh me një fond investimesh, tha klubi të martën.

Madridi tha se bordi i drejtorëve të tij u pajtua njëzëri “për të filluar veprime juridike civile dhe penale” kundër Javier Tebasit dhe kreut të fondit të investimeve “CVC Capital Partners”, Javier de Jaime Guijarro.

Reali, tha gjithashtu se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër vetë fondit. Klubi tha se do të “ndërmarrë çdo veprim ligjor që e konsideron të përshtatshëm për të anuluar dhe bërë joefektive çdo rezolutë të mundshme të miratuar” nga asambleja e përgjithshme e ligës, e cila do të mblidhet të enjten për të votuar miratimin e marrëveshjes. Shumica e 42 ekipeve në divizionin e parë dhe të dytë të futbollit spanjoll duhet të miratojnë marrëveshjen, e cila do të sillte 2.7 miliardë euro për të rritur financat e klubeve dhe për të ndihmuar ligën të rritet.

La Liga pret që shumica e klubeve ta miratojnë marrëveshjen, por Reali dhe Barcelona haptazi kanë treguar kundërshtimin e tyre. Madje, edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër marrëveshjes, nëse aprovohet të enjten.