Sport

Transferimi i Messit te PSG-ja do t’i sillte kokëçarje taktike trajnerit Pochettino

Nëse Lionel Messi bëhet ylli i fundit që do ta ndihmojë Paris Saint-Germainin për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve, atëherë trajneri Mauricio Pochettino duhet të gjejë mënyrën më të mirë për ta akomoduar atë në sulmin e ekipit të tij.

Messi i dha një lamtumirë të përlotur Barcelonës të dielën. Në të njëjtën kohë, PSG-ja ishte në bisedime me ekipin e tij duke u përpjekur të finalizonte një marrëveshje për ta transferuar sa më shpejt yllin argjentinas.

Në fakt raportimet për transferimin e Messit kanë bërë që qindra tifozë të PSG-së ta prisnin atë të hënën jashtë aeroportit “Le Bourget”, i cili shpesh përdoret nga PSG-ja dhe Përfaqësuesja e Francës.

Messi do të bëhej ylli më i madh që do të mbërrinte në stadiumin “Parc des Princes”, qëkur pronarët e pasur nga Katari e morën në pronësi klubin para një dekade. Ardhja e Messit do të tejkalonte edhe famën e nënshkrimit rekord botëror të Neymarit për 222 milionë euro nga Barcelona në vitin 2017, ose prezantimin e Zlatan Ibrahimoviqit nga Kulla e Eifelit në vitin 2012. Ata kurrë nuk fituan një “Top të Artë”, çmim të cilin Messi e ka fituar plot gjashtë herë, duke vendosur rekord.

Numri prej 672 golave për Barçën, përfshin një sezon të jashtëzakonshëm me 50 gola në vitin 2012. Ai kishte 96 gola në ligë dhe 133 në përgjithësi gjatë viteve 2012 dhe 2013. Tetë herë Messi është shpallur golashënuesi më i mirë në La Liga dhe gjashtë herë të tjera në Ligën e Kampionëve. Për të mos përmendur katër trofe të Ligës së Kampionëve me Barcelonën, rekordin prej 91 gola në një vit kalendarik për klubin dhe vendin, dhe një titull në Copa America me Argjentinën.

Edhe mosha e Messit - ai është 34 vjeç - do të ketë pak ndikim në pritjen e madhe që ardhja e tij do të krijojë brenda futbollit francez dhe më gjerë.

Por, ku do të inkuadrohet Messi në sulm, në repartin ku përfshihen Neymar, ylli francez Kylian Mbappe, Angel Di Maria dhe Mauro Icardi. Kjo mund të paraqesë problem për trajnerin Pochettino, shokun argjentinas të Messit.

Mbappe kushtoi 180 milionë euro dhe shënoi 42 gola sezonin e kaluar. Klubi pagoi 50 milionë euro për Icardin. Ai tregoi aftësitë e tij të shtunën mbrëma në hapjen e ligës, kur ia siguroi fitoren PSG-së me rezultatin 2:1 ndaj Troyesit. Ai ka 34 gola në 64 paraqitje për PSG-në. Icardi duket se do të mbetet prapa me ardhjen e Messit dhe madje mund të shitet ose huazohet për të hequr një peshë nga fatura e madhe e pagës së argjentinasit.

Pochettino duhet të vendosë nëse do të përdorë Di Marian në një sulm me katër lojtarë, në rrezik të mosbalancimit të mesfushës. PSG-ja dëshmoi sezonin e kaluar se ka telashe në mbrojtje gjë që i kushtoi me humbjen e titullit të kampionit. Kështu që Pochettino duhet të mendojë mirë se si do të luajë me Messin, i cili duket gjithnjë e më afër transferimit te PSG-ja.

Më poshtë janë tri skemat që trajneri Pochettino mund t’i përdorë me Messin në ekip për sezonin 2021/22:

4-3-3

Messi në krahun e djathtë të sulmit, Neymar në të majtë dhe Mbappe duke luajtur në mes në rolin e qendërsulmuesit, të cilin edhe e preferon. Messi ka luajtur në këtë rol shumë herë te Barcelona. Përkundër që ky sistem ofron siguri edhe në mesfushë, nuk ka vend për Angel Di Marian.

4-2-3-1

Këtë herë, Angel Di Maria zë vendin e tij në krahun e djathtë me Lionel Messin para dhe Neymarin në të majtë. Mirëpo, Kylian Mbappe duhet të zhvendoset prapa dhe të ketë rolin e mesfushorit sulmues. Ky sistem është i shkëlqyeshëm për syrin, por një mesfushë me dy lojtarë, ka të ngjarë që Marco Verratti dhe Georginio Wijnaldum të jenë aty, e bëjnë PSG-në të prekshëm nga kundërsulmet.

3-5-2

Ndoshta është opsioni më i mirë, me Lionel Messin përpara së bashku me Mbappen, dhe Neymarin duke përdorur aftësitë e tij të shkëlqyeshme teknike duke luajtur pas tyre. Verratti dhe Wijnaldum do të merrnin mbështetje të mirëpritur në mesfushë. Por, ky formacion do të linte jashtë përsëri Di Marian , i cili ishte padyshim lojtari më i mirë i PSG-së sezonin e kaluar së bashku me Mbappen dhe portierin Keylor Navas.