Sport

Nuhiu: Futbollistët e Dritës të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu vlerëson lart atmosferën brenda ekipit të tij, ndërsa thotë se futbollistët janë të gatshëm të sakrifikojnë për të arritur kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ai pret t’i prij edhe fati ndaj holandezëve.

“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Skuadra ime dëshmoi në ndeshjen e parë se jemi një, ne jemi një ekip që luftojmë të gjithë bashkë, përmirësohemi dhe rritemi të gjithë bashkë. Futbollistët tanë janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka me atë që kanë për atë se çfarë duan të arrijnë”, ka thënë Nuhiu për KOHËN.

Megjithatë, ai ka shtuar se përballë do ta kenë një skuadër shumë të fortë.

“Jemi të vetëdijshëm se na pret një përballje shumë e fortë. Kundërshtarin tani e njohim edhe nga afër. Skuadra kundërshtare ka futbollistë shumë cilësor dhe një trajner me ide të qarta. Megjithatë, gjithçka është e mundur në futboll. Djemtë do të japin zemrën në fushë. Forca e tyre nuk duhet të na tremb, por vetëm duhet të na motivoj. Ne do të tentojmë edhe pse duhet shumë punë, po ashtu disiplinë, por edhe fati sportiv të jetë në anën tonë”, është shprehur Nuhiu.

Drita javën e kaluar u nda baras pa gola ndaj Feynoordit në Prishtinë.