Sport

Në debutim, basketbollistet e Kosovës kërkojnë suksesin në kampionatin e shteteve të vogla

Basketbollistet e Kosovës po i kryejnë përgatitjet e fundit para nisjes për në Qipro. Përfaqësuesja A e Kosovës në basketboll do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që do të mbahet në Nikozi prej 20 deri më 25 korrik. Kosova është në grup me Qipron e Luksemburgun, ndërsa dy vendet e para do të kualifikohen në gjysmëfinale.

Vashat kosovare i kanë nisur stërvitjet muajin e shkuar, kurse të dielën do të marrin rrugën për në Qipro.

Përzgjedhësi Fidan Shatri ka folur për periudhën e përgatitjeve, atmosferën në ekip dhe synimet që i kanë në këtë pjesëmarrje, që ai e quan historike për basketbollin e femrave.

“Grumbullimin e kemi nisur më 20 qershor, fazën intensive, duke punuar nga dy herë në ditë dhe tani jemi në fazën finale të përgatitjeve. E kemi ngritur formën e lojtareve dhe përgatitjen fizike, kështu që mendoj se jemi gati për pjesëmarrje në Qipro”, tha trajneri Shatri, që shtoi se ka disa telashe të vogla me gjendjen fizike të disa lojtareve për shkak të intensitetit të lartë të stërvitjeve.

“Në përgjithësi jam i kënaqur me përgatitjet, punën që e kanë bërë vajzat dhe angazhimin e tyre gjatë kësaj periudhe. Synimi është të kemi rezultate të mira, por mbi të gjitha synim primar e kemi paraqitjen e mirë dhe angazhimin. Nëse nuk mungojnë këto, atëherë edhe fitorja mund të arrihet”.

Shatri ka thënë se Kosova është në një grup shumë të vështirë dhe ka vlerësuar lart Përfaqësuesen e Luksemburgut.

“Kemi dy ekipe të forta në grup. Ndoshta fati ka dashur që të jemi në grupin më të fortë. Luksemburgu është ekip i mirë, pasi i ka shtatë lojtare që i luajnë jashtë dhe ka përvojë derisa Qipro paksa më i lehtë”, shtoi Shatri. “Megjithatë, nuk do të jetë aspak lehtë por kam besim në vajzat duke u bazuar në punën që e kemi bërë për gati një muaj”.

Ekipi kosovar përbëhet prej lojtareve me përvojë dhe atyre të talentuara. Fundorja Irma Konjusha është e bindur për një prezantim dinjitoz në kampionatin e vendeve të vogla. Konjusha insiston se Kosova nuk do të kënaqet vetëm me pjesëmarrje në paraqitjen e saj të parë në garat zyrtare të FIBA-s.

“Po punojmë maksimalisht dhe të gjitha lojtaret e kanë dhënë maksimumin nga vetja gjatë këtyre përgatitjeve. Kemi bërë një punë të mirë dhe jemi bërë si një familje ku po angazhohemi njëra për tjetrën, që është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Konjusha. “Jam e kënaqur si me përgatitjet ashtu edhe me ekipin. Besoj në rezultate të mira në Qipro dhe ta përfaqësojmë basketbollin e femrave të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Synimi është të tregojmë lojë të mirë fillimisht dhe të shënojmë fitore”.

Në këtë garë të FIBA-s Kosova do ta ketë edhe ndihmën e amerikanes së natyralizuar, Alex Tolefree. Ajo është lojtarja e parë dhe aktualisht e vetmja që është natyralizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Tolefree, që sezonin e fundit ishte pjesë e skuadrës së Prishtinës, ndihet e nderuar që do ta bartë fanellën e Kosovës dhe premton se do të japë maksimumin për t’i ndihmuar “Dardanet”.

“Mendoj se kemi punuar shumë mirë gjatë kësaj periudhe. Jam e emocionuar për gjërat që do t’i bëjmë në këtë garë që do të jetë e para për Kosovën. Duhet të prisni gjëra të mëdha prej nesh sepse kemi disa javë që po stërvitemi nga dy herë në ditë dhe jemi përgatitur mirë. Duhet të shkojmë dhe të luajmë mirë dhe të tregojmë forcën tonë. Ky është viti im i parë në basketbollin profesionist dhe jam e emocionuar dhe krenare që do ta përfaqësoj Kosovën së bashku me bashkëlojtaret e mia”, pranoi Tolefree.

Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla është e para për ekipin e basketbollisteve të Kosovës në nivelin senior. Vitin e shkuar Bordi i FBK-së mori vendim që të formohet Përfaqësuesja A e basketbollisteve dhe të paraqitet në arenën ndërkombëtare.