Sport

Fitorja - synimi i Prishtinës kundër Ferencvaroshit në “Fadil Vokrri”

Trajneri Zekirija Ramadani ishte i matur para ndeshjes së parë kundër Ferencvaroshit, të cilën Prishtina e humbi me rezultat të thellë, 3:0 në Budapest. Ishte ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Për ndeshjen e kthimit që Prishtina e luan në stadiumin “Fadil Vokrri” të martën mbrëma, trajneri shkupjan thotë se do të synojnë veç fitore. Insiston se motivi nuk mungon. Pra te Prishtina e pranojnë në një mënyrë se përmbysja e rezultatit është fare pak e mundur.

“Ekipi është i motivuar dhe e dimë që edhe vetëm fitorja, pa kualifikim, na sjell shumë dobi për klubin, por edhe për futbollin kosovar. Shpresojmë në një fitore”, ka thënë Ramadani të dielën për KOHËN.

Ramadani ka theksuar se në ndeshjen e kthimit nuk kanë se çfarë të humbin dhe se do të tentojnë ta japin maksimumin për fitore.

“Do të mundohemi të bëjmë paraqitje të mirë, sepse nuk kemi çka të humbim më tepër, vetëm fitojmë. Eksperienca e këtyre ndeshjeve na mungon dhe pikërisht kjo mungesë është që ne u mposhtëm me rezultat 3:0”, është shprehur Ramadani.

Në fakt, paraqitja e Prishtinës u vlerësua goxha shumë, sidomos në pjesën e parë, por skuadra hungareze në pjesën e dytë shënoi tre gola për shtatë minuta për ta mposhtur kampionen kosovare me 3:0.

Raundin e parë kualifikues të “Championist” kampionia e Kosovës e siguroi falë dy fitoreve në parakualifikime, fazë që u zhvilluara në Elbasan. E mposhti 2:0 Folgoren në gjysmëfinale të turneut parakualifikues, kurse në finale fitoi me po të njëjtin rezultat ndaj Inter d’Escaldes.

Për Prishtinën është viti i katërt rresht që merr pjesë në garat evropiane, ndërsa në rast të eliminimit nga faza e parë kualifikuese e “Championist”, pjesëmarrja në garat e Evropës nuk merr fund për “bardhekaltrit”. Garën do ta vazhdojnë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave të organizuara nga UEFA. Në Ligën e Konferencave po marrin pjesë edhe Drita dhe Llapi. Nënkampionia Drita ka mposhtur Deçiqin me rezultatin 2:1 në “Fadil Vokrri”, kurse Llapi u mposht nga Shkupi 2:0.

Edhe mbrojtësi, Besnik Krasniqi, thotë se synimi është paraqitja e mirë, ndërsa pranon se gjasat janë të vogla për të kaluar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ende asnjë skuadër kosovare nuk e ka arritur kalimin në raundin e dytë të kualifikimeve të Championist. Drita aktualisht e ka suksesin më të madh. U eliminua në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

“Edhe në Prishtinë synim do ta kemi paraqitjen sa më të mirë. Duhet të jemi realë që gjasat janë të vogla për ne, por do të hyjmë në fushë dhe të tregojmë se ajo ndeshje e mirë e luajtur nga ana jonë në Budapest nuk ishte befasi. Do të mundohemi të luajmë sa më mirë dhe të arrijmë ndonjë rezultat pozitiv”, ka thënë Krasniqi.

Mbrojtësi i krahut të djathtë ka shtuar se janë munduar të punojnë për të mos i përsëritur gabimet e ndeshjes së parë.

“Duhet të jemi më të vëmendshëm sepse nga gabimet e vogla pësuam dhe duhet të mos i përsërisim. Rasti që na jepet duhet ta shfrytëzojmë. Kjo është mundësia e vetme për të synuar fitoren”, ka thënë Krasniqi.