Sport

Struga debuton me barazim në gara evropiane

Descriptive Text

Skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut, Struga Trim&Lum, ka debutuar me barazim në gara evropiane.

Të enjten gjatë ditës, Struga mori rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të raundit të parë në Ligën e Konferencës. Barazoi krejt në fundin e ballafaqimit në udhëtim te Liepaja e Letonisë, 1:1.

Dodo ishte realizator i golit të parë në ndeshje për vendësit në minutën e 31-të, ndërsa shifrat i barazoi mesfushori Besir Iseni në minutën e tretë të kohës shtesë.

Ndeshja kthyese do të zhvillohet në Shkup më 15 korrik nga ora 17:00.

Fituesi i këtij çifti do të luajë kundër CSKA Sofjes së Bullgarisë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës që është niveli i tretë i garave të UEFA-s.