Sport

Grealish, idhull i tifozëve të Anglisë në “Euro 2020”

Descriptive Text

I freskët nga një dremitje pasdite, Jack Grealish u afrua te një tryezë pikniku duke pirë. Po të mos ia kishte dalë mbanë si lojtar dhe të ishte në Kampionatin Evropian, Grealish do ta kishte një karrierë krejtësisht tjetër, ndoshta duke pirë diçka pak më të fortë sesa lëngu i frutave.

“Unë do t'i fusja të gjithë në klub”, tha ai.

Si promotor i klubit të natës, domethënë. Grealish po e imagjinon veten në një rrugë alternative si pjesë e netëve në ishujt spanjolle - Ibiza dhe Tenerife - në vend që të ulet në diell në bazën stërvitore të Anglisë “St. George's Park” duke u përgatitur për çerekfinalen kundër Ukrainës të shtunën.

“Unë jam thjesht një fëmijë normal dhe, siç jam rritur ... kjo është ndoshta një nga gjërat më të vështira”, tha ai. “Shikoj se çfarë po bëjnë miqtë e mi dhe do të doja të isha i tillë ndonjëherë dhe thjesht të shkoj dhe të bëja gjëra të ndryshme”.

Ndoshta është për shkak se sulmuesi i krahut duket se mishëron frymën e një tifozi të rregullt që e ka dashur atë aq shumë në stadiumin “Wembley” në ndeshjen e Anglisë për një vend në çerekfinale të “Euro 2020”.

“Unë përpiqem t'i ngre tifozët nga vendet e tyre”, tha ai. “Mundohem dhe sulmoj sa më shumë që të jetë e mundur, dhe mendoj se kjo është ajo që tifozët duan të shohin”.

Kapiteni i Aston Villas është bërë lojtari që tifozët duan ta shohin pavarësisht që ai ka qenë titullar vetëm në njërën prej katër ndeshjeve të Anglisë në Evropian. Grealish ka vetëm tri paraqitje deri më tani.

“Super Jack Grealish”, ata brohorisin për lojtarin që njihet për flokët e tij dhe muskujt e fryrë të këmbës, i cili është mësuar më shumë të shahet sesa të përkrahet në stadiumet e Premier Leagues.

“Është e çuditshme”, tha ai. “Është ndjenjë e mirë kur të përkrahin tifozët e Aston Villas, por një gjë e pret sepse je një prej tyre. Por, kur të përkrahin tifozët e Anglisë është ndryshe”.

Me gjithë minutazhën e vogël, Grealisht ka bërë dy asistime në katër golat e Anglisë në Evropian, duke përfshirë edhe krosimin për Harry Kanen që shënoi golin e dytë ndaj Gjermanisë në 1/8 e finales në fitoren 2:0. Grealish gjithashtu mori pjesë edhe në aksionin e golit të epërsisë ndaj Gjermanisë, të cilin e realizoi Raheem Sterlingu. Ai u fut në këtë ndeshje në pjesën e dytë, në vend të Bukayo Sakas. Grealish është dashur të mësohej me një rol si një zëvendësues që ka ndikim për Anglinë, kur ai normalisht luan pothuajse çdo minutë për Aston Villan. Grealish shihet si një opsion sulmues që përzgjedhësi Gareth Southgate e ka në dispozicion.

“Unë duhet të jem realist për veten time dhe talentin që e kam”, tha Grealish.

Është Kane ai i cili e ka të garantuar vendin e titullarit së bashku me Sterlingun, ndërsa këtu janë edhe Jadon Sancho, Marcus Rashford, Phil Foden dhe Saka.

“Kjo është e frikshme sa të mirë jemi ne të gjashtit në sulm”, shtoi Grealish. “Kjo është vetëm e vërteta. Unë kam për të qenë realist dhe pranoj secilin rol te Anglia. Me rëndësi është që të jap më të mirën nga vetja si në stërvitje ashtu edhe ndeshje”.

Edhe për Southgaten është vështirë që t’i zhgënjejë lojtarët, të cilët duhet t’i lë jashtë formacionit bazë. E këtë e pranon edhe Grealish.

“Ai është një trajner i shkëlqyer dhe ka të gjithë këta lojtarë sulmues që luajnë çdo javë në klubet e tyre. Ne e kemi parasysh se edhe ai e ka të vështirë, pasi nuk mund të luajë me të gjithë. Pra, nuk mund t’i inkuadrojë të gjashtit në një ndeshje”, tha Grealish.

Megjithatë, Grealish pritet të jetë titullar në ndeshjen kundër Ukrainës, që luhet të shtunën mbrëma në Romë. Grealish ka debutuar tek Anglia në vitin 2020, dy vjet pasi anglezët përfunduan të katërtit në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Grealish deri më tani ka dhjetë paraqitje për Anglinë.

“Unë gjithmonë përpiqem dhe luaj me një buzëqeshje në fytyrë sepse po bëj atë që dua. Nëse nuk do të isha futbollist dhe do të isha vetëm me shokët e mi, thjesht do të bëja atë që ata po e bëjnë. Unë do të udhëtoja kudo duke parë Anglinë, dhe duke qenë si promotor i klubeve të natës”, tha Grealish.

E ndjekja e ndeshjeve si tifoz duket sikur ishte mënyra e vetme e Grealishit për të qenë pjesë e ekipit kombëtar. Grealish, 25-vjeçar, u zhvillua vonë si lojtar dhe së fundi ka dalë në skenë edhe në Premier League.

“Unë kisha disa gjëra jashtë fushës dhe pastaj u tërhoqa paksa nga futboll. Pra, nuk është faji i askujt tjetër. Është faji im që kaq vonë kam debutuar tek Anglia”, tha Grealish, që insiston se tashmë ka mësuar nga gabimet e së shkuarës. “Unë kurrë më nuk do të jem ai personi që isha, pasi tash jam i pjekur dhe i gatshëm ta dëshmoj veten”.