Sport

Dortmundi konfirmon marrëveshjen me Man. Utd për Sanchon

Klubi gjerman Borussia Dortmund ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Manchester Unitedin për transferimin e yllit të ri anglez Jadon Sancho në “Old Trafford”.

Unitedi për Sanchon do të paguajë 85 milionë euro, siç ka bërë të ditur Dortmundi.

“Lojtari Jadon Sancho është afër transferimit nga Borussia Dortmundi te Manchester Unitedi. Të dy klubet kanë arritur marrëveshje. Nëse transaferi realizohet, Manchester Unitedi do t’i paguajë Dortmundit një shifër fikse prej 85 milionë euro. Detajet kontraktuale duhet të koordinohen dhe dokumentohen. Transferimi është subjekt i kalimit të suksesshëm të testeve mjekësore nga futbollisti”, thuhet në njoftimin e Dortmundit.

Sancho 21-vjeçar te Dortmundi u transferua nga Manchester City katër vjet më parë për afro 8 milionë euro.

Në 104 ndeshje në Bundesligë i ka realizuar 38 gola e 51 asistime, ndërsa në Ligën e Kampionëve në 21 ndeshje i shënoi pesë gola e asistoi gjashtë herë.