Sport

Atleti rus i shpëton dënimit, u arsyetua se substanca e ndaluar ishte nga ilaçi i të birit

Ish-kampioni i botës në vrapim me pengesa, rusi Sergey Shubenkov, i ka shpëtuar një suspendimi katërvjeçar për doping, pasi është zbuluar se ai pa qëllim ka marrë një diuretik që i ishte përshkruar të birit të tij tremuajsh.

Ai ka testuar pozitiv për acetazolamide, një agjent maskues në listën e substancave të ndaluara të Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA), raporton BBC.

Njësiti i Integritetit i Atletikës e ka dërguar rastin te paneli disiplinor, që besoi arsyetimin e atletit.

Ai ka thënë se duke përgatitur ilaçin për të birin kanë mbetur disa “copëza” në kuzhinë.
Tribunali e ka pranuar arsyetimin e 30-vjeçarit se ka testuar pozitiv nga neglizhenca. Mostra e tij e marrë në dhjetor të vitit 2020 kishte rezultuar pozitive.

“Një fëmijë tremuajsh nuk mund të gëlltisë, kështu që pilula u desh të përgatitej në mënyrë të caktuar. Kjo rezultoi që disa pjesë të padukshme të mbesin në kuzhinë që ka rezultuar te testimi pozitiv. Për fat të mirë, ka përfunduar mirë”, ka shkruar Shubenkov në një postim, raporton BBC.

Vendimi ia ka bërë të mundur Shubenkovit që të garojë në gara ndërkombëtare, përfshirë edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.