Sport

Grumbullimi vendimtar i futbollisteve të Kosovës

Futbollistet më të mira që ka Përfaqësuesja e Kosovës në klubet e vendit dhe në klubet evropiane janë grumbulluar në Prishtinë për ta kryer një fazë stërvitore. Ky është grumbullimi i fundit para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror, që futbollistet do t’i kenë në muajin shtator.

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, dhe stafi i saj, kanë punuar me ekipin për pesë ditë. Grumbullimi përfundon të hënën.

Fazlija thotë se ky grumbullim do t’i ndihmojë që ta ketë më të qartë pamjen për skuadrën, që do ta krijojë për ndeshjet kualifikuese.

“Realisht, ky është grumbullimi i fundit para garave zyrtare për kualifikim në Kampionatin Botëror. E kemi shfrytëzuar këtë kamp për ta bërë një listë, të themi finale, përpara ndeshjeve kualifikuese. Kemi planifikuar gjashtë ditë të jemi këtu, kemi pasur mundësi të stërvitim nga dy herë në ditë. Kemi organizuar edhe një ndeshje mes ekipit, duke pasur parasysh që në grumbullim kemi thirrur rreth 30 vajza, të gjitha ato që kanë potencial, mirëpo kemi ftuar edhe katër lojtare të reja”, tha Fazlija.

Ajo e pranon se grupi ku ndodhet Kosova është shumë i fortë, por premton më të mirën, pavarësisht kundërshtareve.

“Nëse e krahasojmë këtë kombëtare me atë të para tre vjetëve, pra në vitin 2017, kur kemi startuar si kombëtare, mund të themi se 100 për qind është tjetër fizionomi. Ne po ngrihemi, por edhe kombëtaret e tjera po ngrihen. Ne jemi ende në stadin e kombëtares mbi 90 për qind amatore, krahasuar me kombëtaret e tjera që kanë kaluar në profesionalizëm”, theksoi Fazlija.

Kapitenia Erëleta Mehmeti, që luan te Freiburgu, dhe futbollistet Elizabeta Ejupi e London Cityt, Donjeta Halilaj e Mitrovicës dhe Vjola Avduli që vesh fanellën e Grasshoperit, janë optimiste se do të krijohet një ekip mjaft i fortë. Ato thonë se atmosfera është shumë e mirë dhe po punohet me seriozitet.

“Atmosfera është shumë e mirë. Po kuptohemi me të gjitha lojtaret. Kanë ardhur edhe disa lojtare të reja dhe besoj që janë duke u ambientuar në ekip. Besoj që bashkë mund të arrijmë rezultate të mira në kualifikime”, tha Erëleta Mehmeti.

“Shumë mirë po i kryejmë përgatitjet. Po stërvitemi dy herë në ditë, po e kalojmë mirë me njëra-tjetrën. Krejt i kemi stilet e ndryshme, por po arrijmë të kuptohemi. Dje kemi zhvilluar një ndeshje dhe kemi luajtur shumë mirë”, u shpreh Elizabeta Ejupi.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jemi grumbulluar qe pesë ditë. Kemi edhe vajza nga jashtë, që kanë ardhur për herë të parë. Edhe ato po shkojnë shumë mirë. Mendoj që do të jemi të përgatitura për kualifikimet që fillojnë në shtator”, deklaroi Donjeta Halilaj.

“Grupin e kemi të vështirë. Ne si kombëtare jemi duke u rritur. Besoj që do ta japim maksimumin dhe do të dalim me rezultat pozitiv”, tha Viola Avduli.

Kosova bën pjesë në Grupin F kualifikues për Botërorin e vitit 2023, së bashku me Norvegjinë, Belgjikën, Shqipërinë, Poloninë dhe Armeninë.

Ndeshjen e parë “Dardanet” e luajnë në udhëtim te Shqipëria, më 16 shtator.