Sport

Volejbollistja serbe suspendohet për racizëm

Një volejbolliste serbe është suspenduar për dy ndeshje pasi bëri gjest racist gjatë ndeshjes kundër Tajlandës javën e kaluar, raporton BBC.

Sanja Gjurgjeviq është kapur nga kamerat duke tërhequr sytë me gishtat e saj, gjë që ka shkaktuar zemërim.

Ajo është kritikuar ashpër nga tifozët nëpër internet.

Lojtarja ka kërkuar falje e po ashtu edhe Federata e Volejbollit të Serbisë që incidentin e ka quajtur thjeshtë keqkuptim.

Federata është gjobitur me 20 mijë franga zvicerane.

Paratë do të dedikohen ndaj një “kauze për të luftuar sjelljet diskriminuese apo për të financuar programe edukuese në ndjeshmërinë kulturore për familjen botërore të volejbollit”, thuhet nga Federata Botërore e Volejbollit.

Gjurgjeviq do të mungojë në ndeshjet e Serbisë kundër Belgjikës e Kanadasë.