Sport

Selmanit i shtyhet sërish debutimi, mund të jetë befasia e Kosovës për ndeshjet e shtatorit

Astrit Selmani po bën emër në futbollin e Suedisë. Është goxha shumë prezent në mediat e Suedisë, ndonëse në elitën e këtij vendi luan vetëm në vitin e dytë.

Te Kosova është dukshëm më pak i ekspozuar. Por kjo ka gjasë të ndryshojë prej shtatorit.

Selmanit për herë të dytë i është shtyrë debutimi te përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Ai është pritur të startojë të premten në miqësoren ndaj Maltës në Austri. Por për shkak të një lëndimi, nuk është aktivizuar dhe nuk ishte në dispozicion të Bernard Challandesit për ndeshje.

Pasi të dielën e kishte finalen e Kupës së Suedisë me Hammarbyn, Selmani nuk luajti në miqësoren e së martës ndaj San Marinos. Qëndroi në stol për shkak të ngarkesës nga finalja e Kupës. Në finale të Kupës shënoi penalltinë vendimtare, ndërsa për Selmanin foli edhe ylli Zlatan Ibrahimoviq, që ka aksione te Hammarby.

Selmani 24-vjeçar, shpërtheu vjet në Suedi, derisa ishte pjesë e Varbergsit. Kështu siguroi transferim te Hammarby dhe po ashtu ftesë te Kosova. Ishte ftuar edhe për ndeshjet e muajit mars, por mbeti i izoluar në Suedi pas infektimit me COVID-19.

Kështu, debutimi eventual i Selmanit është shtyrë për shtator. Dhe mund të jetë befasi në formacionin e Kosovës. Me shpirtin garues që ka, mund të sjellë freski në lojën e “dardanëve”.

Kosova në shtator luan tri ndeshje kualifikuese për Botërorin 2022. Më 2 shtator takohet në udhëtim me Gjeorgjinë. Më 5 shtator e pret Greqinë e më 8 shtator e pret edhe Spanjën. Pra lista pritet të jetë më e gjatë dhe në të, nëse vazhdon me zhvillimin, pritet të ketë vend edhe për Selmanin, lojtari që në dy raste “humbi” debutimin.

Selmani ka ushtruar fare pak me Kosovën para ndeshjes me Maltën. Dhe për shkak të lëndimit, që me gjasë e ka pësuar në ndeshjen e së dielës, nuk pati ndonjë ndikim në grumbullim.

“Me rekomandim të stafik mjekësor të ekipit kombëtar, futbollisti Astrit Selmani nuk paraqitet në ndeshjen miqësore kundër Maltës. Përkundër dëshirës së madhe të futbollistit që të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Challandes për këtë ndeshje, ky i fundit pas ekzaminimeve mjekësore dhe rekomandimit të stafit mjekësor, ka vendosur që të mos rrezikojë me aktivizimin e tij, në mënyrë që Selmani ta kalojë sa më shpejt këtë lëndim të lehtë dhe të jetë i gatshëm për ndeshjet e rëndësishme të shtatorit në kuadër të kualifikimeve për Botëror”, ka njoftuar FFK-ja.