Sport

Berisha me Gjermaninë në finale të Evropianit U-21

Mërgim Berisha ka siguruar kalimin në finale të Kampionatit Evropian për grupmoshën U21 në futbollin me Gjermaninë.

Berisha pati paraqitje mbresëlënëse, duke e qëlluar tri herë shtyllën, por pa arritur të shënonte gol.

Sulmuesi i Salzburgut, 23-vjeçari Berisha, të enjten në mbrëmje me Gjermaninë mposhti Holandën në gjysmëfinale me rezultatin 2:1.

Florian Wirtz i realizoi të dyja golat për skuadrën gjermane.

Të parin e realizoi pas vetëm 29 sekondave pasi u asistua nga Lukas Nmecha dhe hyri në histori të garës. Ai u bë golashënuesi më i shpejtë në një Kampionat Evropian për të rinj. Rekordi paraprak ishte goli i shënuar pas 41 sekondave nga David Rozenhal i Republikës së Çekisë ndaj Italisë në vitin 2002, po ashtu në një gjysmëfinale.

Ndërkohë, golin e dytë, Wirtz e shënoi në minutën e tetë. Sulmuesi i Leverkusenit kësaj radhe u asistua nga Ridle Baku.

Në pjesën e dytë, holandezët ngushtuan epërsinë me mbrojtësin e Ajaxit, Perr Schuurs, por kjo ishte e tëra.

Berisha shtyllat i qëlloi në minutën e 20-të, dhe dy tjerat brenda një aksioni në minutën e 60-të.

Ai u zëvendësua nga Ismail Jakobs në minutën e 84-rt.

Gjysmëfinalja u zhvillua në stadiumin MOL Arena Sosto në Hungari, para 14 mijë e 144 tifozëve të pranishëm.

Finalja Portugali - Gjermani luhet të dielën në Lubjanë.