Sport

Miku i xhudos kosovare e fiton edhe një mandat në krye të IJF-së

Marius Vizer do ta udhëheqë edhe për një mandat tjetër Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Kongresi i IJF-së është mbajtur të enjten, ndërsa rizgjedhja e Vizerit është lajm i mirë edhe për Kosovën.

Marius Vizer vlerësohet mik shumë i mirë i xhudos kosovare dhe Kosovës në përgjithësi. Ai kishte hapur dyert që xhudoja kosovare të garonte edhe para pranimit në IJF dhe në organizatat e tjera sportive. Po ashtu vlerësohet i madh ndikimi i Vizerit në pranimin e Kosovës në IOC. Vizer vazhdon ta përkrahë fuqishëm xhudon e Kosovës. Ai ka vizituar disa herë Kosovën.

Vizer është në krye të IJF-së që nga viti 2007. Gjatë kësaj periudhe xhudoja është zhvilluar goxha shumë dhe tashmë prin prej sporteve luftarake.

Vizer mori përkrahje unanime.

“Gjatë gjithë këtyre vjetëve ishte kënaqësi të punoja me ju në paqe, me miqësi dhe unitet. Kjo është një bazë e zhvillimit pozitiv. Ishte po ashtu nder të punonim për zhvillimin e xhudos me disiplinë, respekt dhe besnikëri. Deri më tani kemi përmirësuar nivelin e xhudos aq shumë dhe kemi ndarë vlerat e sportit me gjithë botën. Do të vazhdojmë të arrijmë suksese të mëdha së bashku”, ka thënë Vizer. Sipas tij, me unitet, besim dhe solidaritet xhudoja mund të dërgohet në nivel edhe më të lartë.

“Këtë do ta bëjmë, duke nisur nga sot”, ka theksuar Vizer.

Kongresi i IJF-së është mbajtur në prag të Botërorit 2021, që të dielën fillon në Budapest të Hungarisë.

“Miku ynë, Marius Vizer, rizgjidhet president i IJF-së. Falë mbështetjes së parezervë të tij dhe rezultateve të pamohueshme të xhudos kosovare, sot jemi pjesë e respektuar e IJF-së dhe IOC-së”, ka shkruar Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës.