Sport

Fyerja e shqiptarëve në stadiumin e Podgoricës vlerësohet “provokim fashist”

Deçiqi i Tuzit është rritur jashtëzakonisht shumë si skuadër këtë edicion. Deçiqi, që njihet si klub shqiptar i futbollit, do ta përfaqësojë Malin e Zi në kupa evropiane edicionin e ardhshëm, ndërsa të dielën luajti në finale të Kupës së Malit të Zi.

Por rritja e klubit shqiptar nuk është pritur mirë nga të gjithë në Mal të Zi. Të paktën jo nga një grup i tifozëve të Buduqnostit të Podgoricës, klubit më të madh në Mal të Zi. Buduqnosti e fitoi 3:1 finalen e Kupës së Malit të Zi ndaj Deçiqit, por finalja mbeti në hije të fyerjeve që tifozët e këtij klubi bën ndaj shqiptarëve.

Ka pasur reagime të shumta të dielën e të hënën lidhur me fyerjet e tifozëve podgoricas në baza kombëtare ndaj shqiptarëve.

Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit, i ka vlerësuar fyerjet si “provokime fashiste”. Gjeloshaj e ka vlerësuar të shkëlqyer sezonin e Deçiqit. Ai ka vlerësuar faktin se katër lojtarë të Deçiqit janë ftuar në përfaqësueset e Malit të Zi, dy te seniorët e dy te Shpresat.

“Të dashur futbollistë, ju nuk fituar Kupën e Malit të Zi, por arritja deri në finale, e në finale luajnë më të mirët, kualifikimi në Evropë, si dhe arritjet individuale të Kristiajn Vulajt dhe Adrian Rudoviqit, që janë pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi, bashkë me Xhonatan Dreshajn dhe Danillo Peshukiqin që janë në reprezentacionin U21, na bëjnë patjetër të gjithëve krenarë me lojën fantastike të klubit tonë. Tashmë para jush është një rrugë e gjatë, keni akoma edhe shumë punë për të bërë e shumë fitore për të korrur. Faleminderit tifozëve të KF Deçiq, që treguan se si në mënyrë të civilizuar, dinjitoze dhe të kulturuar përkrahet klub. Posaçërisht faleminderit që nuk reaguat në provokimet fashiste dhe fyese ndaj shqiptarëve në finale”, ka shkruar Gjeloshaj të hënën.

I pari i Tuzit respekton kërkim-faljen nga kryetari i Podgoricës dhe kapiteni i Buduqnostit. Ndërkohë, ka shprehur keqardhje që ka munguar reagimi i presidentit të Buduqnostit dhe vetë klubit.

“Në klubin tonë luajnë shqiptarë, malazezë, boshnjakë, serbë... dhe ne jemi krenarë për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik. Ne nuk bëjmë dallime, promovojmë sportin e posaçërisht mesazhin e UEFA-s kundër racizmit dhe ofendimeve nacionale. Nuk fituam finalen në futboll, por nga stadiumi dola krenar, ballëlartë, me krejt stafin, miqtë e klubit dhe tifozët tanë që ndaj gjithë kësaj shprehjeje fashizmi treguan civilizim. Zemrën e kam sa Deçiqi. Fituam në arenën ku Malësia e njerëzimi kanë fituar gjithmonë, në ndershmëri, dinjitet, civilizim. Referi e delegati nuk e ndërprerën lojën për asnjë moment gjatë kanonadës së fyerjeve shoviniste në baza nacionale, e pra kishte elemente për ndërprerjen e saj”, ka shkruar tutje Gjeloshaj.

Fyerjet e tifozëve ndaj shqiptarë janë dënuar edhe nga politikanë tjerë të Malit të Zi. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, ka dënuar ngjarjet në stadiumin e Podgoricës. Ai nuk ka përmendur shqiptarët në reagim.

“Si fëmijë i këtij qyteti, adhurues i futbollit dhe si person që është rritur në stadiumin e Podgoricës, dua që vërtet të dënoj porositë e mbrëmshme që kemi mundur t’i dëgjojmë në stadium. Mjaft më me urrejtje, ndarje e tensione. Duhet në çdo hap të japim kontribut për forcimin e harmonisë shumëfetare, pajtimit, për ndërtimin e një Mali të Zi të fortë e të qytetëruar”, ka thënë Deçiq.

Thirrjet e tifozëve të Buduqnostit i ka dënuar edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Ai ka theksuar se nuk do të lejohen pamje të viteve nëntëdhjeta në Malin e Zi evropian dhe të qytetëruar. Në Kuvendin e Malit të Zi ka reaguar lidhur me fyerjet ndaj shqiptarëve deputeti Genci Nimanbegu. Ai ka thënë se Buduqnostit duhet t’i merret Kupa si mësim se një mënyrë e tillë e të bërit tifozllëk nuk duhet të lejohet. Ai ka përmendur futbollistët shqiptarë që kanë dhënë kontribut për Buduqnostin, si Fatos Beqiraj që ishte edhe kapiten i Malit të Zi.

Nimanbegu, që është deputet i Listës Shqiptare, ka falënderuar të gjithë ata që kanë reaguar, ndërsa ka ftuar edhe të tjerët të reagojnë ndaj fyerjeve të tifo-grupit “Varvari”.

Kanë reaguar edhe parti politike të Malit të Zi, por jo edhe Federata e Futbollit të Malit të Zi.