Sport

Trajneri i Vllaznisë merr ofertë marramendëse nga Ballkani

Ecuria dhe puna që ka bërë me Vllazninë në sezonin e fundit, ka bërë që për trajnerin Tomas Brdariq të ketë lumë ofertash, si nga tregu shqiptar, nga rajoni, ashtu dhe nga vende të ndryshme evropiane. Pak ditë më parë u përfol se Tirana e ka kontaktuar trajnerin gjermanokroat, por ai e ka mohuar një gjë të tillë.

“Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive ka mësuar disa nga ofertat dhe interesimet nga klube të ndryshme për Brdariqin. Gazeta mëson se ofertën më konkrete, trajneri i Vllaznisë e ka marrë nga klubi Ballkanit. Rreth 80 mijë euro në sezon, mësohet se është shuma që i ka ofruar presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, trajnerit Brdariq.

Gjithashtu, interesim për trajnerin e Vllaznisë thuhet se ka edhe nga Polonia, ku në lojë është klubi i Jagellonias, si dhe Zvicra ku flitet se pëlqehet nga Grasshopers. Sa i përket së ardhmes, pritet që fillimisht Brdariq të flasë me Vllazninë, por shuma që ka marrë nga Ballkani duket joshëse.

Ballkani është pa trajner që pas largimit të Bledi Shkëmbit pothuajse në fund të këtij edicioni.