Sport

Misioni i Gjilanit për sezonin e ri: Të shkruajë historinë brenda dhe jashtë vendit

Descriptive Text

Ismet Munishi nuk ia mohon të arriturat skuadrës së Gjilanit nën udhëheqjen e trajnerit Gentjan Mezani. Daljen në Evropë të Gjilanit si nënkampion i edicionit 2019/2020, trajneri Munishi e vlerëson sukses. Por ai thotë se Gjilani nuk e ka shfrytëzuar gjithë kapacitetin që ka, si organizativ ashtu edhe financiar për ta fituar titullin e kampionit në dy edicionet e fundit. E këtë thotë se do ta bëjë në edicionin e ri, që nis në muajin gusht. Madje, Munishi insiston se me Gjilanin nuk do ta ketë mision vetëm titullin e kampionit, por të shkojë larg edhe në garat evropiane. Në fakt, kandidaturën për titull të kampionit për sezonin e ri, Munishi e ka shpallur qysh në debutim te Gjilani, ndërsa tani thotë se me këtë skuadër nuk do të shkruajë historinë vetëm në futbollin e Kosovës, por edhe në garat evropiane.

“Ne do ta shtrëngojmë në masë të madhe skuadrën dhe me këtë buxhet mendoj se Gjilani ka kapacitet të arrijë më shumë se që ka arritur. Pra, i kanë munguar sukseset me përjashtim të pjesëmarrjes në Evropë dhe shpalljes nënkampion me trajnerin Gentjan Mezani. Ka pasur rënie dhe faktorët janë të ndryshëm, por tani me këto kushte që po na ofron presidenti Florim Zuka, besojmë shumë në suksese. Gjilani nuk do të bëjë histori vetëm në futbollin e Kosovës, por edhe më larg”, ka thënë Munishi të mërkurën për KOHËN.

Munishi me drejtuesit e klubit qysh tash i kanë përvjelë mëngët. Kanë vazhduar me kontratat me disa futbollistë, ndërsa ende nuk i kanë ndërprerë stërvitjet me disa lojtarë të tjerë. Munishi thotë se për ta kompletuar ekipin i duhen vetëm edhe dy futbollistë. Me Gjilanin këto ditë i kanë vazhduar kontratat Enea Koliqi, Besar Musolli, Gerhard Progni, Muhamed Useini dhe Oltion Rapa.

“I kemi ndalur lojtarët që e kanë bartur barrën kryesore dhe mendoj se e kemi gati të kompletuar skuadrën për sezonin e ri. Na duhen edhe dy futbollistë dhe jemi duke shikuar tregun. Ne do të shohim parametrat e jo emrat, lojtarë që u përgjigjen parametrave tanë. Ka lojtarë interesant, ndërsa edhe ne nuk e kemi problemin financiar për t’i përballuar ata. Nuk e kemi ndalur punën me disa lojtar të rinj juniorë, të huazuar dhe disa lojtarë që janë kthyer nga lëndimet apo që kanë pasur minutazhë të vogël. Besoj se kemi kohë për t’u përgatitur. Do të jemi një Gjilan rivalizues”, ka insistuar Munishi, që ka zbuluar se fazën e parë të përgatitjeve do ta zhvillojnë në Gjilan dhe Mavrovë, kurse fazën e dytë në Ohër, ku edhe do t’i zhvillojnë disa ndeshje miqësore. Përgatitjet Gjilani do t’i fillojnë më 18 qershor. Munishi thotë se Gjilanit i pëlqen lufta në fushë, duke iu referuar rregullsisë së kampionatit.

“Unë shpresoj të kemi më në fund një kampionat më të rregullt, kjo është shpresa ime dhe të jemi rivalizues. Na pëlqen lufta, jo t’u shmangemi ekipeve dhe ai që është më i miri t’ia zgjasim dorën, por të ketë rregullsi më të madhe, sepse do të kemi edhe shikueshmëri më të madhe, rivalitet e po ashtu edhe do të prodhojmë më shumë talente”, ka thënë Munishi.

Munishi më 12 mars u emërua trajner i Gjilanit, duke e zëvendësuar Bylbyl Sokolin e larguar. Në një vijë me fjalët e trajnerit Munishi është edhe portieri Enea Koliqi, që beson se ka ardhur koha që Gjilani ta fitojë titullin e kampionit, të parin në histori.

“Kam kaluar mirë këtë sezon në Gjilan. Pasi bisedova me trajnerin dhe me presidentin, vendosëm ta vazhdonim bashkëpunimin edhe për dy sezone të tjera. Plani është të japim të gjithë maksimumin dhe t’i arrijmë objektivat. Gjilani do të hyjë për ta fituar çdo ndeshje”, ka thënë Koliqi, që ka firmosur deri në vitin 2023.

Se i ka pëlqyer projekti i Gjilanit për të ardhmen, e pranon edhe Besar Musolli.

“Te Gjilani kam gjetur një ekip të kompletuar dhe që më ka bërë të ndihem mirë. Pa diskutim që faktori kryesor pse pranova rinovimin është presidenti. Besoj shumë te projekti që po bën klubi dhe jam optimist për sezonin e ri, ku do të kërkojmë trofe. Pozitiv është fakti që klubi ka nisur punën për sezonin e ri dhe shpresoj shumë te sukseset”, shtoi Musolli, që do të jetë pjesë e ekipit deri në vitin 2024.

Besim në punën e trajnerit dhe lojtarëve ka edhe presidenti i klubit, Florim Zuka. Ai ka besim të madh se ekipi i tij do të dalë kampion në fund të sezonit të ardhshëm. Ka thënë se investimet do të rriten për sezonin e ri. Në fakt, Gjilani është cilësuar si ndër klubet më stabile, si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë financiar në Kosovë.

“Kemi vazhduar me disa lojtarë, por kjo nuk do të jetë e tëra, pasi do ta rrisim intensitetin e punës, e po ashtu do të ketë edhe përforcime të tjera si nga vendi ashtu edhe nga jashtë me synimin për ta fituar titullin. Do të ketë edhe rritje të buxhetit për edicionin e ri me misionin e vetëm për ta fituar titullin. Besojmë shumë se do të jetë sezoni i Gjilanit”, ka thënë Zuka.